Të mërkurën e 2 nëntorit janë bërë 7 vjet që nga ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) në Kuvendin e Kosovës, për të cilën partitë politike opozitare nuk morën pjesë në votim.
Me 86 vota pro, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan ligjin që e mundëson zbatimin e MSA-së ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian(BE).
Ratifikimi i MSA-së u bë në një seancë solemne, ku të pranishëm ishin edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe një numër i madh i ambasadorëve në Prishtinë të vendeve më të industrializuara, raporton KP.
Tri ish-partitë politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje(LVV), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma, morën pjesë vetëm në fillim të seancës, derisa lexuan fjalimet e tyre kundër qeverisë dhe siç thanë “të metat që i ka marrëveshja, (MSA)”.
Opozita me pas u largua nga salla e Kuvendit, duke mos marrë pjesë në votim për ratifikimin e MSA-së.
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili ishte nënshkruesi i marrëveshjes së MSA-së së bashku me ish-ministrin e Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku kishte thënë se marrëveshja e MSA-së është një proces tepër i rëndësishëm në krijimin e shtetit ligjor dhe zhvillimin ekonomik.
“Ne duhet t’i plotësojmë të gjitha kriteret që i kemi pranuar me këtë marrëveshje”, kishte thënë kryeministri Mustafa.
Ndryshe, më 4 tetor të vitit 2021, Kuvendi i Kosovës me 63 vota ka miratuar Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit 2021-2025.
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka treguar detajet e këtij programi, teksa ka thënë se kostoja totale e zbatimit të programit për këtë vit është mbi 47 mijë euro.
“Programi kombëtar për zbatimin e MSA-së përmban, gjithsej, 242 masa afatshkurtra, prej tyre 109 masa legjislative dhe 133 masa zbatuese, si dhe objektiva prioritare afatmesme. Kostoja totale e zbatimit të programit për këtë vit është vlerësuar të jetë 47 milionë e 676 mijë e 792 euro, prej të cilave 44 milionë e 931 mijë e 171 euro janë nga buxheti shtetëror dhe 2 milionë e 745 mijë 621 euro nga mbështetja e donatorëve ku janë kryesisht BE dhe donatorët bilateralë. Ky dokument nuk ka asnjë vakum buxhetor”, ka thënë ai.
Bislimi kishte thënë se kanë paraparë zbatimin e të paktën 80 për qind të programit për vitin 2021 e tutje.