Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten se presidenti amerikan, Donald Trump, do ta marrë një vendim brenda dy javëve të ardhshme nëse Shtetet e Bashkuara do të përfshihen apo jo në luftën mes Izraelit dhe Iranit.
Duke e lexuar mesazhin Trumpit, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve: “Duke u bazuar në faktin se ka mundësi të konsiderueshme për bisedime që mund të ndodhin ose jo me Iranin në të ardhmen e afërt, unë do ta marr vendimin tim nëse do të ndërhyj apo jo brenda dy javëve të ardhshme”.
Leavitt tha në një konferencë të rregullt për shtyp se Trumpi është i interesuar për një zgjidhje diplomatike me Iranin, por përparësia e tij kryesore është të garantojë që Irani të mos ketë mundësi të zhvillojë ndonjë armë bërthamore.
Ajo tha se marrëveshja do të duhej ta ndalonte pasurimin e uraniumit nga ana e Teheranit dhe t’i zhbënte aftësitë e Iranit për të prodhuar ndonjë armë bërthamore.
Izraeli i bombardoi ndërtesat bërthamore në Iran të enjten, ndërsa Irani lëshoi raketa dhe dronë drejt Izraelit pasi goditi një spital izraelit gjatë natës.
Lufta ajrore njëjavore mes dy vendeve armike të Lindjes së Mesme u përshkallëzua edhe të enjten dhe asnjëra palë nuk tregoi shenja frenimi.
Leavitt tha se Trump ishte njoftuar për operacionin izraelit të enjten dhe se Irani do të përballet me pasoja të rënda nëse nuk pranon t’i ndalojë përpjekjet për të zhvilluar armë bërthamore.
Irani po shqyrton mundësi më të gjera për t’iu përgjigjur sfidës më të madhe të sigurisë që nga revolucioni i vitit 1979.