Adrian Shtuni – Ekspert i sigurisë ndërkombëtare, ShBA ka deklaruar se presidenti amerikan, Donald Trump nuk po dëshiron luftë por një tavolinë diskutime mes Izraelit dhe Iranit. Ai shtoi se krejt kjo tavolinë e diskutimeve varet nga shteti i Iranit nëse do të kthehet në bisedime me Izraelin.
Shtuni në një lidhje direkte televizive në “Five” të Dukagjinit ka vlerësuar se përplasjet mes Iranit dhe Izraelit kanë hyrë në një fazë të rrezikshme, që mund të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë rajonal, me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin ndërkombëtar.
“Situata është mjaft e komplikuar. Sot është dita e katërt e goditjes sikur Irani po goditet nga Izraeli, dhe ky I fundit po e godet Iranin.Rreziku është për destabilizim, jo vetëm për konflikt me sfond bërthamor por edhe një destabilizim edhe më gjerë të lindjes së Mesme dhe më gjerë. Ka mundësi tv zgjerohet konflikti. Varet edhe sa do të përfshihen edhe elementet e tjera, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Nëse goditen kapacitet ushtarake prezente të SHBA-ve në Lindjen e Mesme, Irani do të ketë edhe më keq. SHBA-të do të tërhiqen nga Izrael, jo vetëm në aspektin mbrojtës por edhe goditës të aseteve të Iranit Brenda dhe jashtë. Presidenti Trump nuk dëshiron luftë. Dëshiron të gjindet një zgjidhje me marrëveshje, dëshiron që palët ti kthehen tavolinës së diskutimeve. Dhe kjo varet nëse Irani do I kthehet tavolinës së diskutimeve”, shtoi Shtuni.
Sipas Shtunit, zhvillimet aktuale në Lindjen e Mesme duhet të përcillen me kujdes nga bashkësia ndërkombëtare, pasi rreziku për një konflikt rajonal apo edhe më të gjerë është më i lartë se kurrë.
Ai tha se SHBA-të e kanë për qëllim “ruajtjen e stablitetit jo vetëm në Lindjen e Mesme por komplet global”.
“Ngushtica e Hormuzit është strategjike për burimet energjike, lëndëve djegëse. 20% e lëndëve djegëse të konsumit botëror kalon nga kjo ngushticë. Kjo kontrollohet nga Irani. Dhe nëse ka mungesë stabiliteti në Ngushticën e Hormuzit, ndikimi ekonomik është drejtpërdrejtë e mirëqënies botërore dhe rriten në cmimet e energjisë, naftës. Dhe këto ndikojnë në inflacionin e cdo vendi”, deklaroi Shtuni.
Ai tha se “Izraeli ka prioritet shkatërrimin e kapaciteteve nukleare, bërthamore të cilat Irani po tenton t’i materializojë në armë “.