Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të zgjidhur krizën institucionale dhe financiare që ka përfshirë transmetuesin publik të vendit.
Në një letër publike drejtuar Kurtit, sindikata ka bërë të ditur se mbi 700 punëtorë të RTK-së kanë mbetur pa paga, duke paralajmëruar se kjo situatë po kërcënon mirëqenien e qindra familjeve dhe funksionimin normal të shërbimit publik të informimit në Kosovë.
Letra e plotë:
Letër publike drejtuar Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti
I nderuar Kryeministër,
Sindikatë e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK), përmes kësaj letre publike, ju drejtohet për të kërkuar ndërhyrjen tuaj urgjente në zgjidhjen e krizës së krijuar në RTK.
Aktualisht, mbi 700 punëtorë të RTK-së kanë mbetur pa paga, dhe pas tyre qëndrojnë po aq familje që varen nga këto të ardhura për jetesën e përditshme. Kjo situatë është bërë e padurueshme, dhe rrezikon jo vetëm mirëqenien e punëtorëve, por edhe funksionimin normal të shërbimit publik të informimit në vend.
Ne si Sindikatë nuk po kërkojmë asgjë më shumë se zgjidhje konkrete dhe ligjore. Nuk jemi të interesuar për përplasje apo interpretime politike — ajo që na intereson është pagesa e punës së ndershme të punëtorëve të RTK-së, që për muaj të tërë e kanë kryer detyrën e tyre me përkushtim, pavarësisht vështirësive.
I nderuar Kryeministër, ju tashmë jeni të informuar për gjendjen aktuale në këtë institucion. Megjithatë, me këtë letër dëshirojmë të theksojmë edhe një herë se RTK gjendet në një krizë institucionale dhe financiare të thellë:
- Institucioni është pa Bord funksional,
- Pozita e Drejtorit të Përgjithshëm është vakante si pasojë e moskompletimit të bordit,
- Aktualisht drejtimi i RTK-së po mbahet me ushtrues detyre, gjë që nuk është në përputhje me ligjin për RTK-në.
Ne e dimë se Kuvendi i Republikës së Kosovës është themelues i RTK-së, por ky institucion ende nuk i ka të krijuara trupat e tij drejtues, dhe si rrjedhojë kemi ardhur në këtë gjendje të rëndë.
Kryeministër, ne si Sindikatë i gëzohemi rritjeve të pagave që po ndodhin në sektorë të ndryshëm në Kosovë, mirëpo kërkojmë nga ju që përmes deputetëve tuaj dhe institucioneve përkatëse, të mundësoni rritjen e buxhetit për pagat në RTK, ashtu siç po ndodh në gjithë sektorët tjerë publikë.
Ju e dini rëndësinë e transmetuesit publik për shtetin, për demokracinë dhe për qytetarët. Prandaj, ju bëjmë thirrje publike që të ndihmoni RTK-në — jo vetëm për hir të punëtorëve të saj, por për hir të vetë funksionimit të një prej institucioneve më të rëndësishme të Republikës së Kosovës.
Për hir të 700 familjeve që varen nga ky institucion publik, kërkojmë nga ju të ndërhyni me çdo formë të mundshme për alokimin e buxhetit të RTK-së dhe zhbllokimin e situatës aktuale.
Kryeministër, kjo kërkesë nuk është vetëm sindikale — është një thirrje njerëzore dhe institucionale për të shmangur kolapsin e një institucioni që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Me respekt,
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK)
Kryetar: Gëzim Bimbashi