Siria shtyn mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në disa provinca

Zgjedhjet e reja parlamentare do të shtyhen në tri provinca për shkaqe sigurie, tha një zyrtar i komisionit zgjedhor, më 23 gusht.

Zgjedhjet parlamentare në Siri – të parat që kur u rrëzua nga pushteti sundimtari shumëvjeçar Bashar al-Assad mbi tetë muaj më parë – fillimisht ishin planifikuar të mbaheshin nga 15 deri më 20 shtator.

Por, zëdhënësi i komisionit të lartë zgjedhor, Hassan al-Daghim, tha se votimet do të shtyhen në provincën jugore të Suveidës, por edhe në provincat al-Hassake dhe al-Raka për shkak të “sfidave të sigurisë”.

Muajin e kaluar, Suveida – bastion i minoritetit druze të Sirisë – përjetoi dhunë vdekjeprurëse sektare.

Provincat al-Hassake dhe al-Raka janë nën kontrollin e milicitë e Forcave Demokratike Siriane, të udhëhequra nga kurdët, që kanë raporte të tensionuara me Qeverinë në Damask.

Al-Daghim, duke folur për Dpa-në, nuk dha një datë të re, por tha se zgjedhjet në këto tri provinca do të mbahen kur të lejojnë rrethanat.

Më herët gjatë javës, presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ratifikoi një dekret që ka të bëjë me një sistem të përkohshëm zgjedhor, sipas të cilit ai ka fuqinë të emërojë një të tretën e 210 anëtarëve të Asamblesë. Dy të tretat e mbetura do të zgjidhen nga votuesit.

Duke komanduar një aleancë të rebelëve të udhëhequr nga islamistët, al-Sharaa e rrëzoi nga pushteti al-Assadin në dhjetorin e vitit të kaluar. Ish-presidenti sirian u largua nga shteti drejt Rusisë.

Në janar, administrata e re shpërndau Parlamentin që ishte dominuar nga Partia Baath e al-Assadit.

Në mars, al-Sharaa miratoi një Kushtetutë të përkohshme që vendos një periudhë tranzicioni politik prej pesë vjetësh.

Që nga rënia e al-Assadit, udhëheqja e re e Sirisë po synon të njihet ndërkombëtarisht dhe po kërkon mbështetje ekonomike për të rindërtuar vendin e shkatërruar nga më shumë se një dekadë luftë civile.

Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika