Profesori amerikan, Daniel Serwer ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) po mbështesin Serbinë.
Në një intervistë për RTK-në, profesori amerikan tha se Serbia e ka kaluar Kosovën me anë të banditëve dhe ata nuk janë kritikuar nga amerikanët për sulmet e tyre ndaj trupave të KFOR-it.
“Dhe kjo nuk është fare gjë e mirë”, tha Serwer.
I pyetur se si e shpjegon situatën kur mbajtja e zgjedhjeve nuk është kritikuar, por madje janë cilësuar si të ligjshme dhe të mbajtura në mënyrë të rregullt, ndërkohë që tani SHBA paralajmëron masa ndaj Kosovës, profesori Serwer tha se amerikanët po e mbështesin Beogradin 100 për qind.
“Besoj që amerikanët po e mbështesin Beogradin 100% në këtë situatë. Nuk i kanë kritikuar sulmet e banditëve, nuk e kanë kritikuar Serbinë. Amerika ka dalë në anën e këtij ekuacioni 100 për qind”, tha profesori Serwer.
Sipas tij, duhet të ketë një lloj de-eskalimi.
“Nuk jam në terren, nuk arrij të flas me njerëzit që të di më saktësi se cili do të ishte veprimi, por supozoj që nëse amerikanët kërkojnë që kryetarët të qëndrojë në objekt tjetër, nuk besoj se ky është problemi më i madh në botë”, tha ai. “E shoh si problem kërkesën e tërheqjes së Policisë së Kosovës”.
Profesori Serwer tha se përshtypja e tij është se ka pasur dhunë minimale nga policia, derisa hunë maksimale ka pasur nga serbët, e sidomos dje (e hënë).
Ai u shpreh në këtë intervistë se më pas, Kosova ka nevojë për pranim nga popullata serbe në veri. Serwer nuk pret që kryetarët e rinj të komunave të jenë në gjendje të ushtrojnë autoritete pa këtë pranim.
Sipas tij nuk është me rëndësi se në cilat objekte do të qeverisin apo do të punojnë por që qeverisjen, ta bëjnë në mënyrë efektive.