Avokati Xhevdet Smakiqi ka reaguar ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, i cili kishte kritikuar Prokurorinë Speciale pas intervistimit të tij lidhur me rastin e funksionalizimit të fabrikës për nënproduktet shtazore në Drenas.
Në emisionin FIVE në TV Dukagjini, Smakiqi ka thënë se sjellja e Bislimit është përpjekje për të diskredituar organet e drejtësisë dhe për të shpëtuar nga përgjegjësia.
“Gjithmonë djalli apo dreqi në gjuhën popullore e luan rolin e engjëllit në publik, ndërkohë natën djallin. Sepse Besnik Bislimi është ftuar atje si dëshmitar, konsideroj që duhet të jetë i dyshuar për kontratën, e cila është nën hetim për mbetjet shtazore” ka thënë Smakiqi.
Duke e quajtur diskursin e Vetëvendosjes si “gjuhë anarkiste”, sipas tij, Bislimi nuk tregoi asnjë vullnet për të bashkëpunuar me drejtësinë, por në vend të kësaj e shfrytëzoi intervistimin për të ndërtuar narrativë kundër Prokurorisë Speciale.
“Raporti i DASH-it për vitin 2024 ka thënë se ka korrupsion të nivelit të lartë qeveritar, në qeverinë e Albin Kurti. Kur këtë kritikon se po vidhet në përmendore para shumë vitesh, këta po vjedhin në stërvina. Në mbetjet shtazore ka një dyshim se ka një keqpërdorim të autoriteti zyrtar, dhe Besnik Bislimi si dëshmitar që është ftuar sot, është dashur ta bëjë një deklaratë se do të bashkëpunoj me organet e drejtësisë, por këta e kanë program politik që ta diskreditojnë Prokurorinë Speciale… këta janë anarkistë, gjuha është anarkiste, t’i thuhet popullit se nuk po lexon prokurori speciale. Kjo i bie se unë jam edhe melaqe edhe i meqëm, po këta janë edhe dreqër edhe të dyshuar…”, ka thënë Smakiqi në FIVE.
Bislimi: Qëllimi i intervistimit tim ishte prodhimi i lajmit medial
Zëvendëskryeministri në detyrë pas intervistimit ka thënë se intervista ishte e panevojshme dhe e motivuar për të prodhuar “lajm medial” gjatë kohës kur zhvillohej dialogu në Bruksel.
“Nisur nga fakti se hyrja e ndërtesës ku u mbajt intervista ishte vërshuar nga portalet, gjë që nuk ndodh më raste të tjera kur ftohen dëshmitarët, dhe nga përvoja e nxjerrjes në media të lajmit për intervistim saktësisht kur po zhvillohej takimi trilateral i dialogut në Bruksel, del i pashmangshëm përfundimi se qëllimi parësor i kësaj interviste ka qenë prodhimi i lajmit medial, ku eksponentë të qeverisë bëhen pjesë e titujve bashkë me termin “skandal”. “Skandal” që origjinën nuk e ka as në Ministri të linjës e as në prokurori, por te eksponentë të medias. Kjo e vendosë prokurorinë në një perspektivë jashtëzakonisht negative karshi përgjegjësive që ka dhe orientimit që ka zgjedhur të ndjekë. Do të ishte me interes të shumëfishtë që kjo qasje të rishikohet”, ka shkruar Bislimi në Facebook gjatë së mërkurës.