I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, po qëndron në Prishtinë më 6 gusht, ku po zhvillon takime me krerët shtetërorë.
Sorensen, pas takimit me presidenten Vjpsa Osmani, do të takohet me kryeministrin në detyrë Albin Kurti.
Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është aktualisht i bllokuar, jo vetëm për shkak të situatës së brendshme politike në Kosovë, ku funksionon një qeveri në detyrë me kompetenca të kufizuara, por edhe për shkak të tensioneve të fundit me Serbinë.
Beogradi ka deklaruar se nuk mund të ketë vazhdim të dialogut pa lirimin e Igor Popoviqit, zyrtar i Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cili është arrestuar në Kosovë më 18 korrik. P
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur ndaj tij aktakuzë për veprën penale “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, pasi gjatë një fjalimi në Rahovec, Popoviq kishte quajtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”.
Përplasjet rreth këtij rasti kanë shtuar tensionet diplomatike dhe kanë vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e procesit të dialogut.
Rundi i fundit i bisedimeve ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë ishte zhvilluar më 10 qershor, ndërsa Sorensen kishte paralajmëruar përgatitje për një takim të nivelit të lartë.
Megjithatë, që nga ajo kohë nuk ka pasur përparim konkret.