Në një situatë të pazakontë institucionale, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot për herën e 53-të në përpjekje për t’u konstituuar, në një kohë kur kriza politike ka hyrë në muajin e katërt.
Seanca do të mbahet vetëm një ditë para hyrjes në fuqi të ndalesës së vendosur nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka urdhëruar pezullimin e të gjitha veprimeve për konstituimin e institucioneve nga data 27 korrik deri më 8 gusht, në pritje të një aktgjykimi për interpretim kushtetues.
Në prag të kësaj seance vendimtare, liderët politikë kanë dhënë qëndrime të ndryshme për bllokadën, përgjegjësitë dhe mundësitë për zgjidhje pas dështimit të 52-të të mbledhjes së deputetëve.
Krasniqi: Këtë masë të Kushtetueses s’e kemi kërkuar, dëshira jonë ishte që të nxirrej aktgjykimi para afatit
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka komentuar vendimin e mbrëmshëm që nxori Gjykata Kushtetuese, e cila vendosi një masë të përkohshme nga 27 korriku, kur përfundon afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, deri më 8 gusht përmes të cilës pezullon punën e deputetëve.
Por, këtë masë, Krasniqi tha se këtë masë nuk e kërkoi PDK-ja, por tha se vendimet e Kushtetueses duhet të zbatohen gjithmonë.
“ Ne s’e kemi kërkuar atë masë, por është në të drejtën e tyre dhe unë po besoj që ka një arsye që s’mund ta paragjykoj unë. Cila mund të jetë arsyeja është ndoshta diçka që mund ta kuptojmë kur të publikohet aktgjykimi final, por ne e kemi thënë gjithmonë se vendimet e Kushtetuese s’janë tavolinë suedeze. Jemi të obliguar që t’i zbatojmë dhe ajo që tashmë po dihet është se kanë mbetur më pak se 48 orë për ta konstituar Kuvendin bazuar në aktgjykimin e kaluar.
Çka do të thotë Gjykata në aktgjykimin e ardhshëm në rastin që e kemi dërguar ne mbetet të shihet. Dëshira jonë ka qenë që të ketë një aktgjykim të publikuar para se të skadojë afati në mënyrë që ta kenë të qartë edhe deputetët se cilët janë pasojat, por po presim”, tha ai.
Abdixhiku: Po e presim vendim përfundimtar të Gjykatës për lëndën tonë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, pas dështimit të seancës së 52-të konstituive të Kuvendit të Kosovës, deklaroi shkurt se kryesuesi i Kuvendit ka shkelur Kushtetutën.
Sipas tij, kjo është një përmbysje e rendit kushtetues dhe se LDK pret që të ketë vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
“Kryesuesi e ka shkelur Kushtetutën. Kjo është një përmbysje e rendit kushtetues. Tani presim që të ketë edhe vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese për lëndën tonë deri më datë 10 gusht”, tha Abdixhiku.
Haradinaj: Deharit s’di kah po i buron ajo nervozë
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i habitur me mënyrën se si po e menaxhon
seancën kryesuesi Avni Dehari.
“Ne kemi ardhur gjithmonë me shpresë se do të kemi një lëvizje nga ata që po e mbajnë peng sigutatën, nga zoti Kurti. I kemi ofruar edhe ndihmë për votat tona, pa asnjë kalkulim politik, për një kandidat përbashkues. E shihni se është një situatë shumë e rëndë me zotin Dehari, po e menaxhon shumë keq seancën. Është një lloj nervoze. Nuk e di se nga i buron ajo nervozë, ajo frikë se po ndodh ndonjë tragjedi nëse dikush e thotë ndonjë fjalë. Është një sjellje e habitshme, një panik i tillë, nuk e kuptoj pse”, tha Haradinaj, teksa shtoi se “jemi të shqetësuar me këtë gjendje.
Murati: Ofruam marrëveshje dhe kompromise, tani është radha e Nismës të veprojë
Pas dështimit të 52-të për konstituimin e Kuvendit, deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, deklaroi se partia e tij ka bërë ofertat e nevojshme politike, përfshirë edhe për qeverisje, siç ka kërkuar Nisma Socialdemokrate.
“Ne kemi ofruar marrëveshje dhe kompromise, por tash i takon Nismës të bëjë hapin e radhës. Konstituimi është obligim i të gjithë deputetëve. Shfrytëzoj rastin që t’i ftoj sepse çdo votë “Për” na ofron drejt qëllimit, do të mjaftonte që secili deputet e subjekt ta kryejë obligimin kushtetues që të ndihmojë në konstituimin e Kuvendit”, tha Murati dhe ftoi të gjitha partitë që të votojnë për konstituimin, duke theksuar se çdo votë për na afron drejt qëllimit.
Limaj: Albin Kurti nuk i ka 61 vota për ta bërë Qeverinë, këtu është e gjithë bllokada
Kreu i Nismës, Fatmir Limaj, tha pas dështimit të serishëm të seancës konstituive se do të ishte mirë që të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për të parë se si do të procedohet tutje.
“Do të ishte mirë të presim aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Do të ishte mirë që pas vendimit, të mobilizohen forcat politike”, tha Limaj.
Ai ka treguar se Kurti nuk i ka votat për të krijuar një Qeveri të re dhe se këtu është problemi i bllokadës.
“Unë vazhdimisht kam thënë shumicë qeveritare. S’ka zgjidhje parciale. Për mua asnjëherë s’ka qenë temë kryetari i Kuvendit. S’ka numra të mjaftueshëm për Qeveri, derisa s’ka numra për shumicë qeverisëse, gjendja ka ngecur këtu. Po të ishin votat, do të demonstrohej vota në zgjedhjen e Kuvendit”, tha Limaj.
Ai ka thënë se NISMA s’përkrah zgjidhje parciale që e çojnë vendin në zgjedhje.