Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot për të vazhduar seancën konstituive, në përpjekje për të zgjedhur kryetarin e ri dhe nënkryetarët.
Kandidati i fundit që propozoi Lëvizja Vetëvendosje ishte Ministri në detyrë të Financave, njëherit deputetin Hekuran Murati i cili njësoj sikurse dy kandidatet paraprake, nuk morri votat e mjaftueshme.
Propozimi i Muratit u bë pavarësisht se VV e dinte se partitë tjera nuk do të votonin për Muratin, të prera në qëndrimin se nuk votojnë asnjë emër që ka qenë pjesë e ekzekutivit.
Për dallim nga herët e kaluara ku propozimi bëhej nga nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, Murati u propozua nga deputetja Donika Gërvalla, e cila vetë dështoi të merrte votat e nevojshme për këtë pozitë në seancën e së mërkurës.
Nga 115 deputetë të pranishëm në sallë, për Muratin votuan 57 deputetë, 52 ishin kundër, ndërsa gjashtë abstenuan.
Sot nuk dihet se cili do jetë kandidati i propozuar nga LVV, kryetari i së cilës njëheri kryeministri në detyrë tha se ‘’e merrni vesh të dielën’’.