Spanja po përballet me 14 vatra të mëdha zjarri, ndërsa autoritetet paralajmëruan të premten se “kushte të pafavorshme” po e vështirësojnë shuarjen e tyre.
Vetëm gjatë këtij muaji, shtatë persona kanë humbur jetën si pasojë e zjarreve.
Vala e të nxehtit, e cila ka zgjatur 12 ditë, dhe erërat e forta nga jugu po e bëjnë edhe më të vështirë punën e ekipeve të zjarrfikësve, në një nga verat më sfiduese për zjarret në 20 vitet e fundit, ka deklaruar drejtoresha e përgjithshme e shërbimeve të emergjencës, Virginia Barcones.
“Në pjesën perëndimore të vendit, situata është jashtëzakonisht shqetësuese”, tha Barcones për RTVE.
Në rajonin e Galicias, disa vatra u bashkuan duke krijuar një zjarr edhe më të madh, i cili detyroi mbylljen e rrugëve dhe pezullimin e shërbimeve hekurudhore drejt rajonit. Zjarret në provincën Ourense u përhapën deri në provincën fqinje Zamora.
Shumë banorë u detyruan të evakuohen, por disa të tjerë zgjodhën të qëndrojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre. Ndërkohë, agjencia kombëtare e motit AEMET ka paralajmëruar për rrezik ekstrem zjarri në veri dhe perëndim të Spanjës, pasi temperaturat në bregun verior pritet të arrijnë deri në 40°C.
“Sot do të jetë një tjetër ditë shumë e vështirë, me rrezik ekstrem për zjarre të reja”, shkroi në rrjetin social X kryeministri Pedro Sanchez.