Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ka reaguar pas kritikave të ashpra që kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca adresuan ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarëve të saj.
Në një postim në rrjetin “X”, Barbano theksoi se pavarësia gjyqësore është një nga shtyllat themelore të sundimit të ligjit dhe se duhet të respektohet nga të gjithë, në çdo kohë.
“Ndërhyrja e panevojshme përmes sulmeve personale që synojnë drejtpërdrejt gjyqtarët dhe prokurorët që kryejnë detyrat e tyre është gjithmonë e papranueshme”, ka deklaruar ai.
Reagimi i EULEX-it vjen pas qëndrimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila më herët gjatë ditës shprehu shqetësim lidhur me “deklarimet e pamatura të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë”. Kushtetuesja theksoi se pavarësia e saj nuk është privilegj i gjyqtarëve, por themel i shtetit të së drejtës.