Të paktën 96 palestinezë, gjysma e tyre fëmijë, janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza gjatë natës së kaluar, në atë që po shihet si sfida më e madhe deri tani për armëpushimin e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara – dhe dita më vdekjeprurëse që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së paqes.
Sipas agjencisë së Mbrojtjes Civile të Gazës, sulmet – ndër më të përgjakshmet që nga fillimi i luftës dyvjeçare – kanë shkaktuar vdekjen e 46 fëmijëve dhe 20 grave, ndërsa 200 persona janë plagosur. Ato ndodhën vetëm disa orë pasi Donald Trump deklaroi se “asgjë nuk do të rrezikonte armëpushimin” që ai kishte ndihmuar të ndërmjetësonte.
Sulmet shuan çdo shpresë të përkohshme që palestinezët kishin ndjerë pas nisjes së armëpushimit. Të mërkurën, funerale për viktimat u mbajtën në spitale të ndryshme në gjithë Rripin e Gazës. Disa trupa u sollën në krahët e të afërmve.
“Këto janë masakra,” tha Haneen Mteir, e cila humbi motrën dhe nipërit e saj, gjatë një funerali pranë spitalit “Nasser” në Gazën jugore. “I dogjën fëmijët teksa flinin,” tha ajo për Associated Press.
Ushtria izraelite deklaroi se do të vazhdojë të respektojë armëpushimin, por do të reagojë me vendosmëri ndaj çdo shkeljeje. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Oren Marmorstein, fajësoi Hamasin për viktimat, duke pretenduar se grupi militant “përdor civilët si mburoja njerëzore”.
Nga ana tjetër, Hamas tha se sulmet “zbuluan qëllimin e Izraelit për të minuar armëpushimin dhe për të imponuar realitete të reja me forcë”. Grupi konfirmoi se do të vazhdojë t’i përmbahet marrëveshjes.
Dr. Mohammed al-Mughir, nga agjencia e mbrojtjes civile në Gaza, tha se “ndër objektivat e sulmeve ishte edhe kampi për pacientë me kancer, Insan Camp”.
Ndër të vrarët ishte edhe gazetari Mohammed al-Munirawi, reporter i “Palestine Newspaper”, duke e çuar në 256 numrin e gazetarëve të vrarë nga Izraeli në Gaza, sipas zyrës mediale të territorit.
Bilanci i viktimave është konfirmuar nga Agence France-Presse (AFP), pas mbledhjes së të dhënave nga pesë spitale të Gazës që pranuan trupat dhe të plagosurit.
Sipas raportimeve, Benjamin Netanyahu urdhëroi sulmet të martën në mbrëmje pas një përleshjeje mes militantëve palestinezë dhe trupave izraelite, si dhe pas zemërimit të publikut izraelit për kthimin e pjesëve të trupit të një pengu që Hamasi ia kishte dorëzuar ushtrisë, mbetje që ishin gjetur dy vjet më parë.
Bombardimet e fundit e shtynë Hamasin të shtyjë dorëzimin e mbetjeve të një pengu tjetër, që ishte planifikuar për atë natë.
Nga Air Force One, Trump deklaroi të mërkurën se “asgjë nuk do ta rrezikojë armëpushimin”, por shtoi se Izraeli duhet të godasë nëse ushtarët e tij vriten.
“Ata vranë një ushtar izraelit, ndaj Izraeli reagoi. Dhe ashtu duhet,” tha ai.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha më herët se “armëpushimi po vazhdon pavarësisht disa përleshjeve”.
Megjithatë, sulmet e së martës mbrëma ekspozuan dobësitë e thella të armëpushimit, i cili që nga fillimi është shoqëruar me dhunë. Para sulmeve të fundit, zyra mediale e Gazës akuzonte Izraelin për 80 shkelje të marrëveshjes, me 97 të vrarë dhe 230 të plagosur.
Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman al-Thani, deklaroi se po zhvillohen përpjekje intensive diplomatike për të shmangur kolapsin e armëpushimit. Ai theksoi se “sfida janë të pritshme” dhe se të dyja palët e dinë se marrëveshja “duhet të qëndrojë”.
Zëdhënësi i mbrojtjes civile të Gazës, Mahmoud Bassal, e përshkroi situatën si “katastrofike dhe të frikshme”, duke e quajtur bombardimin “shkelje të qartë e flagrante të marrëveshjes së armëpushimit”.
Ai tha për AFP se “sulmet izraelite goditën tenda të të zhvendosurve, shtëpi dhe afërsinë e një spitali në Rripin e Gazës.”
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite (IDF), i pyetur nëse sulmet nënkuptonin rinisjen e pushtimit në shkallë të plotë, tha të martën se “nuk mund të japë detaje për përmasën”. Të mërkurën, ushtria deklaroi se ka rikthyer zbatimin e armëpushimit.
Ushtria izraelite publikoi më pas pamje që pretendojnë të tregojnë anëtarë të Hamasit duke rihapur një varr për të “sajuar një zbulim të rremë” për Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), gjë që organizata e dënoi si “të papranueshme”.
Lajmi ka shkaktuar zemërim në Izrael, ku ministrat e ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich kërkuan rifillimin e luftës kundër Hamasit.
“Sërish, Hamas vret një nga ushtarët tanë gjatë një ‘armëpushimi’, dhe sërish kryeministri zgjedh një reagim të matur, në vend se të rikthehet në luftë të plotë,” shkroi Ben-Gvir në “X”.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit të 10 tetorit, Hamas duhet të kthejë mbetjet e të gjithë pengjeve izraelitë, ndërsa Izraeli të dorëzojë 15 trupa palestinezë për secilin izraelit.
Deri tani, Hamas ka kthyer 15 trupa, ndërsa 13 të tjerë mbeten në territor. Grupi thotë se nuk i di të gjitha vendndodhjet, pasi disa nga njësitë që mbanin pengjet janë vrarë gjatë bombardimeve izraelite.
Trump pranoi se “disa trupa janë të vështira për t’u arritur”, por shtoi se “të tjerët mund të dorëzohen tani, dhe për arsye të caktuara nuk po ndodh”. Ai sugjeroi se kjo mund të lidhet me çarmatimin e Hamasit, që Izraeli e ka bërë kusht kryesor për përfundimin e luftës.
Kreu i negociatorëve të Hamasit, Khalil al-Hayya, tha të dielën se armët e grupit janë “të lidhura me ekzistencën e pushtimit dhe agresionit”./TheGuardian