Supremja lë në fuqi burgimin e përjetshëm për Dardan Krivaqën

Fotoilustrim, Dardan Krivaqa në njërën nga seancat ku u gjykua për vrasjen e Marigona Osmanit

Gjykata Supreme e Kosovës ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqa për vrasjen e rëndë të Marigona Osmani.

Vendimi është marrë nga kolegji gjyqësor i shkallës së tretë pas shqyrtimit të ankesës së paraqitur nga mbrojtja e të akuzuarit.

Në seancën e mbajtur më 22 dhjetor 2025, kolegji, me shumicë votash, ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit, duke vërtetuar aktgjykimin e Gjykata Themelore në Ferizaj dhe atë të Gjykata e Apelit e Kosovës.

Me aktgjykimin e shkallës së parë, Dardan Krivaqa ishte shpallur fajtor për veprën penale “vrasje e rëndë” dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim që ishte konfirmuar edhe nga gjykata e shkallës së dytë.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme ka konstatuar se aktgjykimet e dy shkallëve më të ulëta nuk përmbajnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se janë dhënë arsye të qarta e të mjaftueshme për vendimmarrjen. Sipas kolegjit, gjykatat kanë analizuar në mënyrë të detajuar të gjitha provat, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizave mjeko-ligjore, provat materiale dhe video-incizimet e administruara nga banesa ku kanë qëndruar i akuzuari dhe viktima.

Nga këto prova është konstatuar se viktima ka qenë në gjendje të rënduar fizike gjatë periudhës kritike dhe se lëndimet e saj janë shkaktuar nga veprime të dhunshme të të akuzuarit. Raporti i autopsisë dhe deklarimet e ekspertëve mjeko-ligjorë kanë përcaktuar se vdekja ka ardhur si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore (politraumë), të shkaktuara nga goditje me mjet të fortë. Gjykata ka vlerësuar se viktima ka përjetuar dhimbje të rënda fizike, çka mbështet kualifikimin juridik të veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.

Kolegji ka shqyrtuar edhe pretendimet e mbrojtjes lidhur me procedurën e rigjykimit, ekspertizën psikiatrike dhe pretendimet për ndikim të substancave narkotike, por ka konstatuar se ato nuk janë mbështetur me prova që do ta vinin në dyshim ligjshmërinë e vendimeve të mëparshme. Sipas raportit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, tek i akuzuari nuk është konstatuar çrregullim mendor i karakterit psikotik dhe ai ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij në kohën e kryerjes së veprës.

Në përfundim, Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se dënimi me burgim të përjetshëm është në përputhje me ligjin dhe rrethanat e çështjes, duke marrë parasysh natyrën e rëndë të veprës, shkallën e përgjegjësisë penale dhe pasojat e saj.

Shija e redaktorit

Raportimet për reduktim të trupave të KFOR-it: NATO dhe Pentagoni...

Katër diplomatë të NATO-s kanë “alarmuar” Ballkanin Perëndimor e në veçanti Kosovën këtë të enjte pas deklarimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)...

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Të fundit nga rubrika