Gjykatës Supreme ka pranuar ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arber Emini, dhe ka prishur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të datës 15 tetor 2025.
Dhe sipas njoftimit, çështja është kthyer për rivendosje në PZAP.
Emini ishte ankuar se gjatë zgjedhjeve lokale më 12 tetor, Serbia ka ndërhyrë në procesin zgjedhor në Kllokot, duke prodhuar vërtetime mjekësore të strukturave paralele që përdorën disa votues.
“Bazuar në shkresat e lëndës, Arber Emini me datë 13.10.2025, ëstë ankuar në PZAP, me pretendimin se “me datë 12.10.2025 në Zgjedhjet Lokale në Kllokot, Serbia ka ndërhyrë në sistemin zgjedhor në Komunën e Kllokotit, duke fabrikuar dëshmi mjekësore serbe të strukturave paralele për t’u shfrytëzuar votuesit me asistencë të përdorin këtë vërtetim mjekësor”, thuhet nga Supremja.
Gjykata Supreme ka vlerësuar se PZAP kishte hedhur poshtë ankesën në mënyrë të gabuar, duke e trajtuar atë si kundërshtim të rezultateve preliminare, ndërsa ankesa lidhej me parregullsi gjatë ditës së votimit.
“Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se PZAP, gabimisht ka vendosur kur e ka hedhur poshtë ankesën e ankuesit, për faktin se nga pretendimet që dalin nga ankesa, i njëjti është ankuar për procesin dhe parregullsitë gjatë ditës së votimit dhe jo kundër rezultateve preliminare të tabuluara nga KQZ, ashtu siç ka pretenduar PZAP në vendimin e saj”.
PZAP tani udhëzohet të rivlerësojë çështjen duke respektuar vendimin e Gjykatës Supreme dhe të vendosë në mënyrë meritore për ankesën e Eminit.