Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar disa nene të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Bujqësisë, që lidhet me Pagesat Direkte në Bujqësi për vitin 2025.
Vendimi është marrë pas padisë së ngritur nga kompania “Stonecastle Vineyards & Winery” Sh.p.k, e përfaqësuar nga Shoqëria e Avokatëve “Vokshi & Lata”, ndaj Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR).
Në seancën publike të mbajtur më 14 korrik 2025, Kolegji i Gjykatës Supreme ka pranuar kërkesëpadinë si të themeltë dhe ka vendosur që të shfuqizojë nenin 21, paragrafi 2, nënparagrafët 2.1 dhe 2.2 të Udhëzimit Administrativ, duke i cilësuar ato në kundërshtim me ligjin.
“Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen juridike në konfliktin administrativ sipas padisë së paditëses: “Stonecastle Vineyards & Winery” Sh.p.k, të cilën e përfaqësojnë sipas autorizimit Shoqëria e Avokatëve “Vokshi & Lata”, më avokatët Florin Lata dhe Urim Vokshi, më seli në Prishtinë, kundër të paditurës: Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), me seli në Prishtinë, të cilën e përfaqëson Nadir Shyqeriu, avokat nga Avokatura Shtetërore nga Ministria e Drejtësisë, me bazë juridike: shfuqizimin e aktit nënligjor normativ, Udhëzimin Administrativ (MBPZHR) Nr.04/2025, për Pagesat Direkte në Bujqësi për Vitin 2025, në shqyrtimin gjyqësor publik, të mbajtur në praninë e palëve ndërgjyqëse, më datë 14.07.2025, ka aprovuar të themeltë kërkesëpadinë e paditëses: “Stonecastle Vineyards & Winery” të paraqitur kundër të paditurës: Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), me seli në Prishtinë”.
