Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë të Nepalit, Sushila Karki, është emëruar kryeministrja e re e përkohshme e vendit pas disa ditësh protestash vdekjeprurëse të të rinjve. Emërimi i saj u njoftua nga zyra e Presidentit Ramchandra Poudel të premten, më 12 shtator, ndërsa ajo u betua si kryeministrja e parë femër e Nepalit atë ditë.
“Nuk erdha në këtë pozicion sepse e kisha kërkuar vetë, por sepse kishte zëra nga rruga që kërkonin që Sushila Karki-t t’i jepej përgjegjësia,” tha Karki në fjalimin e saj të parë publik të dielën.
Kush është Sushila Karki?
Pas protestave të “Gjeneratës Z” kundër korrupsionit në Nepal, ish-kryeministri KP Sharma Oli dha dorëheqjen më 9 shtator. Karki u emërua më 12 shtator për të udhëhequr qeverinë kalimtare deri në zgjedhjet e parakohshme të marsit 2026.
Në moshën 73-vjeçare, Karki bëhet gruaja e parë që kryeson qeverinë e Nepalit. E lindur në qershor 1952 në Biratnagar, ajo mori diplomën Bachelor të Arteve në Kolegjin Mahendra Morang në moshën 20-vjeçare dhe më pas vazhdoi studimet pasuniversitare në Universitetin Hindu Banaras në Indi, ku fitoi titullin Master. Pas kthimit në Nepal, ajo përfundoi studimet për drejtësi në Universitetin Tribhuvan në vitin 1978, përpara se të bëhej avokate dhe pedagoge në qytetin Dharan.
Karki u bë kryegjykatësja e parë femër e Nepalit në vitin 2016. Në maj 2017, qeveria u përpoq ta pezullonte pas vendimit të saj për të rrëzuar emërimin e Jaya Bahadur Chand si shef policie, duke zgjedhur në vend të tij Nawaraj Silwal. Mocioni i shkarkimit u konsiderua nga OKB si politikisht i motivuar dhe përfundimisht u rrëzua. Karki doli në pension në qershor 2017.
Çfarë ndodhi në Nepal?
Më 8 shtator, të rinjtë në Katmandu dhe qytete të tjera protestuan kundër korrupsionit dhe “fëmijëve Nepo” – pasardhës të politikanëve që shfaqnin jetën e tyre luksoze online. Vetëm pak ditë më herët, qeveria kishte ndaluar mbi 20 platforma sociale për moszbatim të rregullave shtetërore.
Protestat u përshkallëzuan shpejt. Demonstruesit hynë në kompleksin e parlamentit, ndërsa një shtypje e dhunshme nga policia la dhjetëra viktima. Më 12 shtator, autoritetet raportuan se numri i të vdekurve ishte rritur në 51. Protestuesit dogjën ndërtesa qeveritare, përfshirë parlamentin, dhe liruan mijëra të burgosur. Ministrat u evakuuan me helikopter për siguri.
Ushtria u vendos më 9 shtator për të rivendosur rendin, ndërsa situata ka filluar të qetësohet me rihapjen e shkollave dhe rifillimin e aktiviteteve. Grupi Hami Nepal, organizator i protestave, mblodhi rreth 10,000 nepalezë përmes platformës Discord, përfshirë shumë nga diaspora, për të zgjedhur kryeministrin e përkohshëm. Pas disa orësh debate, ata zgjodhën Sushila Karki-n.
Presidenti Poudel shpalli emërimin e saj më 12 shtator dhe njëkohësisht njoftoi shpërndarjen e parlamentit me 275 vende. Zgjedhjet e reja u caktuan më 5 mars 2026, rreth dy vjet më herët se planifikuar.
Pse Karki?
Megjithëse protestuesit e rinj kërkuan ndryshim gjeneratash, ata përfunduan duke zgjedhur një 73-vjeçare për të udhëhequr vendin në fazën kalimtare.
“Kjo ka qenë një shqetësim edhe për njerëzit këtu. Por mendoj se pamja e përgjithshme këtu është se njerëzit donin dikë që mund t’i besonin, dikë që mund ta admironin,” tha për Al Jazeera-n gazetari i Kathmandu Post, Anish Ghimre, 24 vjeç.
Ai theksoi se shumë të rinj hulumtuan mbi të kaluarën e Karkit, duke vlerësuar integritetin e saj si gjykatëse. Karki kishte pohuar se shpesh ishte ballafaquar me kërkesa për favore nga ministra, por i kishte refuzuar ato.