Pas një hetimi të gjatë dhe të koordinuar nga institucionet e sigurisë së Kosovës, është arrestuar sot zyrtari policor Bojan Jevtiq, nën dyshimin për spiunazh për BIA-n serbe.
TV Dukagjini ka raportuar ekskluzivisht detaje në kohë reale nga operacioni i Prokurorisë Speciale, IPK-së dhe AKI-së deri te momenti i arrestimit të Bojan Jevtiqit.
Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, në një postim në Facebook ka theksuar se ky është arrestimi i gjashtë në kuadër të rasteve të spiunazhit në Kosovë.
“Njëri nga të dyshuarit tashmë e ka pranuar fajësinë, duke konfirmuar seriozitetin, profesionalizmin e institucioneve si dhe përfshirjen e Serbisë në përpjekjet destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka paralajmëruar se fatin e këtyre rasteve do ta kenë edhe ata që përpiqen të minojnë punën e Policisë së Kosovës dhe rolin e saj, duke garantuar se do të jenë vigjilentë dhe të pakompromis në luftën kundër çdo kërcënimi të tillë.
Sveçla ka theksuar se bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional është kyç për arritjen e rezultateve në luftën kundër veprimtarive të kundërligjshme, veçanërisht atyre që kanë burim në strukturat e inteligjencës serbe.
“Republika e Kosovës, si asnjëherë më parë, po e forcon sovranitetin, integritetin dhe rendin kushtetues, dhe në këtë mision të shenjtë edhe përcaktimi ynë për përkrahje të gjithanshme të institucioneve të sigurisë ka treguar se është esenciale në ketë drejtim. Luftimi i veprimtarive të kundërligjshme do të vazhdoj sikurse jam i bindur se edhe sukseset nuk do të mungojnë”, ka shkruar tutje Sveçla.