Talibanët i ndalin shërbimet e komunikimit dhe internetit në gjithë Afganistanin

Një pamje e përgjithshme tregon një antenë telekomunikacioni të instaluar për shërbime interneti në çatinë e një shtëpie në Kabul, vonë në mbrëmje më 29 shtator 2025 - AFP.

Talibanët i kanë ndalur shërbimet e telekomunikimit dhe internetit në gjithë Afganistanin, duke e shkëputur vendin nga pjesa tjetër e botës.

Grupi islamik radikal e bllokoi qasjen në internetin me fibër optike në të gjithë Afganistanin më 29 shtator.

Rrjetet e telefonisë mobile, të cilat funksionojnë në të njëjtin sistem, gjithashtu u fikën pothuajse tërësisht.

Ky vendim ka shkaktuar kaos në Afganistan, duke ndërprerë fluturimet dhe duke i shkëputur njerëzit nga sistemet bankare, tregtia elektronike, si edhe nga punët dhe shkollat online.

Vëzhguesi i internetit NetBlocks tha më 29 shtator se Afganistani është “në mes të një ndërprerjeje totale të internetit”.

Talibanët nuk kanë dhënë arsye zyrtare për vendim.

Por, ndalja e shërbimeve të komunikimit ndodhi disa javë pasi grupi kishte filluar të ndalonte qasjen në internetin me fibër optike në disa provinca.

Grupi tha se ky veprim synon ta parandalojë “imoralitetin”, pasi Talibanët më herët kishin shprehur shqetësim për pornografinë dhe intimitetin online mes burrave dhe grave.

Por, kritikët thonë se ky vendim është pjesë e një shtypjeje më të gjerë ndaj lirive individuale dhe qarkullimit të lirë të informacionit.

Qëkurse e morën pushtetin në vitin 2021, talibanët kanë kufizuar rëndë të drejtat e afganëve, sidomos të grave, dhe kanë shtypur dhunshëm çdo kundërshtim.

Talibanët kanë përdorur interpretimin e tyre të ligjit islamik të sheriatit për t’i arsyetuar politikat e tyre ekstreme. Por, dijetarët islamë thonë se nuk ka baza fetare për vendimin e grupit për ta ndaluar internetin.

Ndalja e shërbimeve të komunikimit ka prekur qytetarët e thjeshtë, bizneset private dhe zyrat qeveritare.

Shërbimi i gjurmimit të fluturimeve Flightradar24 tha se të paktën tetë fluturime – të planifikuara për t’u nisur ose për të mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit më 29 shtator – janë anuluar.

Ishaq Atmar, analist afgan me bazë në Gjermani, tha se ndërprerja e komunikimit do të ketë pasoja të mëdha.

“Është një humbje e madhe si për popullin afgan, ashtu edhe për ekonominë e këtij vendi”, i tha ai Radios Azadi të Radios Evropa e Lirë.

“Nëse e fikni internetin, kjo do të thotë se e keni fikur jetën, sepse asgjë nuk është e mundur pa internet”, shtoi ai.

Interneti ka qenë shpëtim për gratë afgane, shumë prej të cilave humbën të drejtën për të punuar dhe studiuar pas ndalimit të vendosur nga talibanët në vitin 2022.

Ky vendim pritet ta përkeqësojë krizën ekonomike në Afganistan, ku varfëria po rritet, uria është e përhapur dhe papunësia është e lartë.

Ndërkohë, organizatat që mbrojnë median kanë dënuar ndalimin e internetit si një përpjekje për të ndaluar qarkullimin e lirë të informacionit.

Haroon Basir, gazetar afgan me bazë në Francë, i tha Radios Azadi se nuk ka arritur të kontaktojë me familjen e tij në Afganistan që prej 29 shtatorit.

“Kjo është dhimbje e madhe për mua”, tha ai. “Është një sfidë e madhe për mijëra afganë që janë jashtë Afganistanit dhe nuk mund të kontaktojnë me familjet e tyre”./RadioEvropaeLirë

Shija e redaktorit

”Lufta e UÇK-së ishte një pelegrinazh”- Ish-komandant “Remi”: Në UÇK...

Rrustem Mustafa, ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, është pyetur për Albin Kurtin nëse është veteran i UÇK-së, pasi ai e ka...

Ali Ahmeti: Dëshmia e James Rubin çmontoi propagandën kundër UÇK-së

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar pas dëshmisë së dhënë nga James Rubin në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë...

“Me zemër e mendje jam atje Komandant!”: Edi Rama përkrah...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalë me videopërkrahje të protestës kundër Gjykatës Speciale që po zhvillohet në Hagë, nga shqiptarë anekënd botës. Rama shkroi...

Të fundit nga rubrika