Tasholli: Karvani me motoçikleta drejt Hagës, për transparencë e drejtësi

Organizatori i Marshit për Drejtësi, Ismail Tasholli
Organizatori i Marshit për Drejtësi, Ismail Tasholli

Në një nismë të veçantë që bashkon patriotizmin, kujtesën historike dhe simbolikën e lirisë, platforma “Liria ka emër” ka organizuar një karvan me motoçikleta drejt Hagës.

Kjo nismë, e cila ka nisur disa ditë më parë, përfaqëson një formë të fuqishme solidarizimi me ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe një mesazh të qartë se liria e Kosovës është fituar me sakrificë dhe nuk mund të njolloset lehtë.

Duke folur për qëllimin e këtij marshimi, Ismail Tasholli, përfaqësues i platformës “Liria ka emër” theksoi se iniciativa është në vazhdën e protestave për drejtësi dhe transparencë, por me një formë më të veçantë simbolike.

“Qëllimi është i njëjtë me protestën që ishte mbajtur para disa ditësh, do të thotë për drejtësi dhe transparencë dhe tash është edhe një shtesë tjetër që e kemi një letër që do ta dorëzojmë te disa eurodeputetë. Është monitorimi i rreptë juridik në ato shkelje që kanë ndodhur dhe për shkelje që po ndodhin. Do të thotë kjo është ajo simbolika e kësaj”, tha Tasholli në një lidhje direkte në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.

Ai shtoi se ideja për marshimin me motoçikleta ka lindur nga njëri prej bashkëpunëtorëve të tij.

“Ideja ka qenë e një shokut, Fidan Jupolli, se është merakli i motorëve dhe ka lindur rastësisht para ndoshta një viti ose disa muajsh. Kemi vendosur ta bëjmë diçka më ndryshe, më të fuqishme në kuptimin simbolik dhe e kemi organizuar me klubet e motoristëve që janë nëpër gjithë Evropën me idenë që gjatë rrugëtimit të karvanit t’i bashkohen secilit qytet që kalojmë”, deklaroi ai.

Sipas Tashollit, karvani aktualisht ndodhet afër Bazelit në rrugën për në Dyseldorf, ku është planifikuar një tjetër pikëtakim me klube të tjera motoristësh.

“Tani për momentin ndodhemi afër Bazellit në rrugën për Dyseldorf, ku e kemi edhe pikëtakimin tjetër me klube të tjera dhe merakli të motoristave që do të jenë pjesë e tij për të mbërritur të dielën në Hagë”, u shpreh ai.

Tasholli tha se platforma “Liria ka emër” kërkon drejtësi, transparencë dhe monitorim të plotë për proceset që po zhvillohen në Hagë.

“Ne e kemi artikuluar në vazhdimësi brengën tonë për parregullsitë që kanë ndodhur në Hagë. Shpeshherë kemi thënë se tashmë ai nuk është paraburgim, por është burg. Dhe shpeshherë e kemi artikuluar po ashtu brengën e bunkerizimit të Gjykatës Speciale në pamundësi të transparencës, përgjegjësisë e llogaridhënies”, shtoi Tasholli.

Ai tha se qytetarët e kanë obligim moral dhe qytetar për të kërkuar përgjegjësi në raste të tilla, kur s’ka transparencë dhe ka shkelje.

“Ata thirren në emrin tonë dhe ne, si qytetarë, kemi obligim të kërkojmë përgjegjësi për atë që po ndodh atje. Qytetaria është një ndër konceptet kryesore të demokracisë liberale që kërkon përgjegjësi të drejtpërdrejtë ose bën presion që ajo përgjegjësi të ndodhë”, nënvizoi ai.

Karvani, sipas Tashollit, është në ditën e tretë të udhëtimit dhe ka pasur disa ndalesa në qytete të ndryshme evropiane.

Ai ka thënë se të dielën në orën 10:00 do të parakalojmë nëpër Hagë, konkretisht në pjesën ku është objekti i Gjykatës Speciale, derisa tha se nuk do të ketë fjalime, por vetëm një marsh për drejtësi.

Pas Hagës, pjesëmarrësit do të udhëtojnë në Strasburg, ku pritet të takohen me disa eurodeputetë dhe t’u dorëzojnë një letër me kërkesën për monitorim nga mekanizmat e Bashkimit Evropian.

Tasholli vlerësoi se kjo nismë është pritur mirë nga qytetarët dhe mërgata, ndërsa përmendi edhe pjesëmarrjen e motoristëve të huaj.

“Në përgjithësi është pritur mirë nga qytetarët, sepse e kanë parë si një mënyrë të veçantë shprehjeje të pakënaqësisë. Entuziazmi është i fuqishëm. Një pjesë e madhe është nga mërgata, por kemi edhe njerëz që nuk janë shqiptarë e që kanë parë të nevojshme të japin kontribut për këtë zë që po e dërgojmë në Hagë”, tha ai.

Në fund, Tasholli theksoi se qëllimi i marshimit është sensibilizimi i opinionit publik dhe i institucioneve ndërkombëtare për shkeljet që po ndodhin në proceset gjyqësore në Hagë.

“Ne nuk po kërkojmë interferim në drejtësi, ne po kërkojmë drejtësi dhe që politika të mos i paraprijë juridikës. Këto janë kërkesa minimale të çdo kulture perëndimore. Kur ndodhin këto parregullsi, heshtja është amoralitet në vetvete. Ne nuk jemi kundër drejtësisë, por kur shkelen të drejtat minimale humane, secili qytetar ka obligim të reagojë”, përfundoi Tasholli./RTK

Shija e redaktorit

Zgjedhjet lokale, nesër intervistohen mbi 50 mijë qytetarë për Exit...

Zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër në 38 komunat e vendit do të shënojnë një rekord historik sa i përket Exit Poll-eve. Në kuadër...

Debati për Prishtinën, paratë e mbledhura nga mesazhet në Debat...

Mbrëmë studio e Debat Plus ishte nikoqire e debatit më të madh e vendimtar në kuadër të garës për zgjedhjet lokale në Prishtinë. Kundër kandidatët...

Mijëra dronë “Skydagger” mbërrijnë në Prishtinë, njofton Kurti: FSK po...

Kontejnerë që mbajnë mijëra dronë luftarakë kamikazë të markës Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Kurtit,...

Të fundit nga rubrika