Të enjten mblidhet sërish Kuvendi, në rend dite projektligji për tërheqjen e mjeteve nga Trusti

Të enjten në ora 10:00 do të mbahet seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të hidhen në votim disa pika që nuk janë miratuar në seancat e kaluara, ndërsa në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti për të cilin ka pasur reagime e diskutime të shumta

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Republikës së Kosovës, të enjten e 23 qershorit, do të mbajë vazhdimin e seancës plenare të së mërkurës, duke filluar nga ora 10:00.

Në këtë seancë pritet që të votohen pikat e rendit të ditës, të cilat kanë dështuar të miratohen në seancat e kaluara.

Ndërsa në rend dite, njëra nga pikat që pritet të votohet, e që ka ngjallur reagime të shumta, është tërheqja e 30 përqindëshit nga Trusti.

Të mërkurën e 23 qershorit, Kuvendi, në mungesë të deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë, nuk arriti të votojë për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për vetëqeverisjen lokale, ta shqyrtojë në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, si dhe të zgjedhë një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radha e komunitetit serb.

Ndërkaq, rezoluta nga debati parlamentar në lidhje me situatën e sigurisë në vend, nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve të Kuvendit.

Gjithashtu, mbështetjen e Kuvendit nuk e morën as kandidatët për anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media, duke i hapur kështu rrugë rishpalljes së konkursit.

Ndërkaq, Kuvendi vazhdoi punimet me pikat e patrajtuara në seancën e datës 16 qershor.

Punimet e seancës i hapi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili pas procedurave të zakonshme hyrëse, fjalën ua kaloi përfaqësuesve të grupeve parlamentare dhe më pas deputetëve, të cilët ngritën çështje të ndryshme dhe po ashtu shtruan pyetje për qeverinë.

Pas pyetjeve parlamentare, seanca vazhdoi punimet me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akcizën në produktet e duhanit, i cili edhe u miratua.

Ndërkaq, për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligjin për markat tregtare dhe Projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, nuk pati kuorum për vendimmarrje.

Për ndërprerjen e seancës të së mërkurës së 22 qershorit, kryetari i PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se pushteti i udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti, po gjejnë metoda për ta penguar votimin e Trustit në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, kur erdhi momenti për të diskutuar për Trustin, u ndërpre seanca, e këtë Tahiri e ka quajtur të paprecendentë.

Ai është shprehur se këtë e vendosin deputetët, jo në mënyrë arbritrare kryetari i Kuvendit.

Abelard Tahiri, Bekim Haxhiu

Më tutje, ai ka shtuar se kjo është e papranueshme, sepse është një kërkesë e qytetarëve të Kosovës, ku sipas tij janë 696 mijë qytetarë të Kosovës që do të përfitonin nga 10 deri në 30 për qind të tërheqjes së kursimeve të tyre nga Trusti.

“Nëse Qeveria do të kishte përkushtim kaq të madh për punë të tjera, si e kanë për bllokimin e debatit për trustin, vendi ynë do t’i kishte punët më mirë dhe nuk do të kishim fare nevojë për të tërhequr trustin.“, ka thënë Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Ndërsa, ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se ndërprerja e seancës ka ndodhur si shkak i mospjesëmarrjes në votim të opozitës.

Në një konferencë për media, Kusari-Lila ka mohuar se ka ndërhyrë te kryeparlamentari Glauk Konjufca për ndërprerjen e seancës plenare, në të cilën duhej të votohej për tërheqjen e parave të Trustit.

Mimoza Kusari-Lila, në konferencë për media

“Sot ajo çfarë ndodhi në seancë ishte humbja e kuorumit si rrjedhojë e mospjesëmarrjes në votim të opozitës. Dhe kjo situatë tashmë për një kohë të gjatë po përsëritet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Megjithatë, nuk ishte mazhoranca ajo që e bllokoi, ishte vetë opozita që refuzoi të jetë aktive në pikat të cilat ishin në agjendë për t’u trajtuar sot, sipas dakordimit në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”, ka thënë ajo.

Ajo ka përsëritur qëndrimin kundër tërheqjes së mjeteve të qytetarëve nga Trusti.

Shija e redaktorit

Mes familjes dhe ushtrisë – Historitë e fëmijëve amerikanë që...

Flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ai i NATO-s, përtej historisë në këtë hapësirë, shënojnë edhe një destinacion ku siguria dhe bashkëpunimi...

Hotel Dukagjini nikoqir i Asamblesë së Federatës Ndërkombëtare të Alpinizmit...

Rreth 130 përfaqësues të 90 shteteve të ndryshme të botës do të qëndrojnë për disa ditë në Pejë. Kjo për shkak se Federata e Bjeshkatarisë...

Hotel Dukagjini nikoqir i Asamblesë së Përgjithshme të Federatës Ndërkombëtare...

Federata e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës (FBNSK) shënon një moment historik duke pritur për herë të parë në Kosovë Asamblenë e Përgjithshme...

Të fundit nga rubrika