Përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha ka qëndruar sot në Komunën e Gjilanit, ku ka zhvilluar një sërë takimesh të ndara me përfaqësues të disa kategorive në këtë komunë, të cilët i kanë shprehur mbështetjen për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.
Së pari, Hoxha është pritur në një takim të përbashkët nga ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, përfaqësuesit e OVL e UCK-së në Gjilan, Xhevdet Mehmeti dhe Agim Mehmeti, si dhe përfaqësuesi i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Gjilanit, Selajdin Abdullahu.
Tutje, Hoxha ka zhvilluar takime në Handikos, ku është pritur nga Fatmir Shurdhani, në Qendrën për Punë Sociale, ku është pritur nga Mursel Zymberaj dhe stafi i këtij institucioni, si dhe në Brigadën e Zjarrfikësve, të cilët shprehën gatishmërinë t’i bashkangjiten Marshit.
Hoxha është mirëpritur edhe sot nga kryesitë e Klubeve të Futbollit në Gjilan “KF Drita” dhe “KF Gjilani”.
Në secilin takim, Hoxha u shpreh mirënjohëse për përkrahjen e parezervë nga këto kategori, duke theksuar se ky Marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika.
Mbështetja nga të gjitha kategoritë e shoqërisë i jep Marshit “Drejtësi, jo politikë” një dimension të gjerë shoqëror dhe kulturor, duke reflektuar ndjeshmërinë e opinionit publik.
Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë komunat e Kosovës dhe me të gjithë akterët e rëndësishëm të shoqërisë për mobilizim sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.

