Pas më shumë se 1 muaji pushim nga puna në Kuvend, deputetët do të mblidhen këtë të premte në seancë plenare për të vazhduar punën e papërfunduar e të nisur që nga 15 prilli.
Seanca do të ketë vetëm një pikë të rendit të ditës, zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb dhe parashihet të nisë nga ora 10:00.
Nga 8 tetori kur edhe u publikua aktgjykimi i plotë i gjykatës Kushtetuese, ka nisur rrjedhja e afatit 12-ditor që ka mbetur si hapësirë prej afatit 30 ditësh për konstituim të Kuvendit.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se kjo parti do të veprojë sipas aktgjykimit të Kushtetueses, ndërkohë që ka kritika ndaj partisë fituese.
“Partia e parë, vetëm partia e parë i ka fajet për mosformim të qeverisë. Prej 9 shkurtit deri në fund të shtatorit duhet me prit vendime të gjykatës. Mjerë ata politikanë që Gjykata Kushtetuese ua sjell vendimet sepse për mosbashkëpunim, për mosguxim, për keqinterpretim apo për interpretim ndryshe të Kushtetutës, duhet me ardh në këtë gjendje. Kosova për gati një vit ka mbetur me vullnetin politik të një partie dhe të një individi. Fatkeqësisht, Gjykata po duhet me sjell vendime dhe sqarime për politikanët dhe për partitë që dalin të parat në zgjedhje”, ka thënë Haziri.
Dukagjini ka provuar të marr nga një qëndrim edhe nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, PDK-së, e AAK-së, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Ndërkohë, skeptik që ky aktgjykim do zgjidh bllokadën e krijuar, janë në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
“Ky aktgjykim mund të mos e zgjidh çështjen sepse çështja është politike sic ka thënë edhe Gjykata Kushtetuese nuk është juridike dhe nnjë gjë të tillë do duhej të i vihet barrë partive politike, veçanërisht partisë së parë e cila do duhej të kishte vullnetin që njërin nga deputete që propozohet të votohet që nesër që në propozimin e parë, sepse kjo pozitë i takon këtij komuniteti dhe nuk do duhej të behej problem”, ka thënë Jakaj.
Pas ankesës së Listës Serbe, Kushtetuesja konstatoi se Kuvendi nuk është konstituuar meqë nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.
Gjykata ka specifikuar se megjithëkëtë, nënkryetari nga komuniteti serb duhet të jetë nga shumica e këtij komuniteti, rrjedhimisht Lista Serbe, por nëse kjo parti refuzon atëherë duhet short në prezencë e deputetëve të këtij komuniteti në sallën e Kuvendit.