Momente tensioni janë shënuar në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është përjashtuar nga salla pas një përplasjeje me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi.
Fillimisht, Peleshi i hoqi Bardhit të drejtën e fjalës, pas debateve të përsëritura dhe protestave nga ana e tij. Më pas, me urdhër të kryetarit të Kuvendit, Bardhi u nxor jashtë sallës.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njoftoi se mazhoranca do të kërkojë masë disiplinore ndaj Bardhit, që parashikon përjashtimin nga punimet e Kuvendit për 10 ditë.
Kjo ngjarje ka rikthyer tensionet politike në sallën plenare, duke sjellë ndërprerje të përkohshme të seancës dhe replika të ashpra mes përfaqësuesve të dy kampeve politike.