Një person ka humbur jetën mbrëmjen e së dielës si pasojë e plagëve të marra me thikë në fshatin Zhur të Prizrenit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 21:20. Viktima, mashkull, u dërgua fillimisht në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit në gjendje të rëndë shëndetësore dhe më pas u transferua në QKUK në Prishtinë, ku ndërroi jetë nga plagët e marra.
“Sipas mjekëve, viktima ishte therur me thikë dhe ndodhej në gjendje të rëndë. Ai është transferuar për trajtim në QKUK, ku ka ndërruar jetë. Patrullat policore janë nisur menjëherë drejt fshatit Zhur për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. Nga informacionet e mbledhura, i dyshuari është identifikuar dhe ndodhet në arrati. Njësitë policore janë ende në terren dhe po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për kapjen e tij”, ka deklaruar Bytyqi.
Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar, ndërsa hetimet po vazhdojnë.