“Bir u ba nana marak. Lajmërohu t’lutna”, “Zemër ku je, djalin e ka marrë malli, tanë ditën t’ka lyp”, janë disa nga mesazhet që shfaqen në telefonat e mbuluar me copa xhami në mesin e thirrjeve të panumërta nga nëna e babai.
Janë pamje nga të cilat ndërtojnë mozaikun e fushatës sensibilizuese të fotografit Marjan Komanit e që vijnë pas aksidenteve të shpeshta ditëve të fundit në Kosovë.
Këtë të shtunë, është vetë protagonisti i cili në emsionin “Shpirti i Vikendit” me Xheneta Asllanin në Radio Dukagjini flet më shumë rreth idesë së tij dhe realizimit të saj. Ideja i kishte ardhur para ca ditësh e realizimi hasi në vështirësi.
“Kjo ka ndodhur për shkak se kohëve të fundit, siç e dimë, ka pasur raste të ndeshjeve në komunikacion. Edhe isha në kolonë duke pritur edhe thjesht për një moment, pa e mendu shumë gjatë, më ka lind ideja. Pastaj, kjo ishte pardje. Të nesërmen, e kam marrë aparatin, kam qenë bashkë me të fejuarën dhe me vëllain që më kanë asistuar e kemi kërkuar varreza, vetura të aksidentuara. Më kanë drejtuar për në Fushë-Kosovë e më thanë se është pjesë e komunës e nuk mundesh me hy, kam vazhduar aty deri tek rrethi i Ismetit e fillimisht nuk pranuan ato varrezat”, tregon ai, gjersa thotë se pas një insistimi të vazhdueshëm, më në fundit mori një “po”.
Janë gjithsej katër foto, por ndikimi që kanë pasur tek opinion publik u pa në publikimin e tyre. Katër foto që morën vëmendje të madhe.
Për fund, Komani jep një mesazh.
“Shpejtësia vret, dhe jo vetëm ajo, por çdo pakujdesi që është në komunikacion”, ka deklaruar ai.
Para pak ditësh, 4 viktima humbën jetën në një aksident në rrugën “Ferizaj-Shtime”. Një tjetër aksident me fatalitet ndodhi edhe të premten, në Kamenicë.