Prokuroria Speciale e Kosovës e ka refuzuar kallëzimin penal të Shpend Istogut, ndaj ish-deputetit Enver Dugolli e autorit të DebatPlus dhe drejtorit ekzekutiv të TV Dukagjini, Ermal Panduri.
Istogu është djali i Ajet Istogut, e që emri i këtij të fundit është përmendur në emisionin “TRADHËTI VËLLEZËRISH, SHQIPTARËT DHE UDB-ja” në TV Dukagjini, nga Enver Dugolli, i cili akuzoi atë për tortura çnjerëzore, e keqtrajtim në shërbim të UDB-së.
Istogu ka paditur Dugollin e Pandurin për nxitje të urrejtjes, por PSRK-ja e hudhi poshtë me arsyetimin se nuk ka elemente të veprës penale.
“HEDHET kallëzimi penal i datës 23.01.2025, i paraqitur nga Shpend Istogu, kundër të dyshuarve Enver Dugolli dhe Ermal Panduri, në drejtim të veprave penale” nxitje e përçarjes dhe mos durimit nga neni 141 të KPRK-së dhe keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 të KPRK-së sepse në rastin konkret nuk ka elemente të veprave penale të lartcekura apo të ndonjë vepre tjetër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare.” – Aktvendimi i Prokurorisë Speciale
Autori i emisionit DebatPlus, Ermal Panduri, e ka cilësuar këtë vendim si përgjigje të merituar për ‘bijtë e UDB-ashëve’.
”Përpjekjet për të heshtur zërin e së vërtetës dështojnë sa herë që përballen me faktet historike dhe me kujtesën e atyre që kanë vuajtur fort për lirinë e këtij vendi. Ata që ende përpiqen të mbrojnë trashëgiminë e UDB-së duhet ta kuptojnë se koha e frikës ka mbaruar. Nuk deshëm të nxisim urrejtje, deshëm të nxisim drejtësi, më në fund, drejtësia po flet”, ka thënë Ermal Panduri – Autor i DebatPlus.
Dugolli kishte rrëfyer për përjetimet e tij, në TV Dukagjini më 14 gusht të 2024.
“Edhe kanë vazhdu, kanë vazhdu torturat rrahjet…Si ka qenë ai moment? Po rrahjet rrahjet klasike me stupc pendrek. Ajet Istogu ka qenë në vazhdimësi edhe i përhershmi aty? Po Ajeti ka qenë, Ajet Istogu ka qenë”, ka thënë Enver Dugolli.
Pas kallëzimit penal, Dugolli ishte ftuar për intervistim nga PSRK-ja në fund të muajit të kaluar.