Të akuzuarit për sulmin në Banjskë të Zveçanit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, janë dërguar para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë ku pritet të vazhdoj procesi gjyqësor ndaj tyre.
Në seancën e një dite më parë është dëgjuar dëshmia e turistit nga Maqedonia e Veriut, i cili kishte përjetuar traumë të rëndë psikologjike gjatë sulmit në Banjskë dhe që kishte qenë i shoqëruar me familjen e tij edhe me një fëmijë me autizëm, ka dëshmuar në seancën gjyqësore për rastin e sulmit në Banjskë ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Gjatë seancës së pasdites të mërkurën, u refuzua propozimi i mbrojtësit të Toliq, avokatit Millosh Deleviq, për dalje në vendin e ngjarjes, me arsyetimin se rikonstruimi nuk do të sjellë të re për procedurën dhe mund të çojë në zvarritje.
Prokurori Naim Abazi argumentoi se ngjarja është dokumentuar mjaftueshëm me procesverbale, fotografi, video-incizime, ekspertiza dhe dëshmi të mëparshme.
Ndërkohë, u diskutua edhe për dëshminë e Millosh Radosavleviq, i propozuar nga mbrojtësja e Maksimoviq, Jovana Filipoviq. Trupi gjykues vlerësoi se nuk ka pengesa ligjore për dëgjimin e tij, por avokatja njoftoi se dëshmitari nuk mund të paraqitet deri në mars për arsye shëndetësore.
Prokurori Abazi kundërshtoi dëgjimin e tij, duke theksuar se dëshmia e tij nuk lidhet me çështjen që po gjykohet tani. Gjykata do të vendosë më vonë mbi arsyeshmërinë e mungesës së dëshmitarit dhe mënyrën e marrjes së dëshmisë.
Kujtojmë se në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.
Ndërkohë, ende nuk ka vendim nga kjo gjykatë për 42 të akuzuarit tjerë për këtë sulm, përfshirë edhe Milan Radoiçiq, për të cilët prokuroria ka propozuar gjykim në mungesë.
Po ashtu kujtojmë se Kosova vazhdon të kërkojë ekstradimin e Milan Radoiçiqit dhe të tjerëve nga Serbia, ndërsa ata janë të shpallur në kërkim nga INTERPOL-i.
Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale, por pra vetëm tre prej tyre – Tolliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq – janë në dispozicion të organeve të drejtësisë.