Disa persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në jugperëndim të Gjermanisë, raportojnë mediat gjermane dhe agjencia e lajmeve DPA.
Aksidenti ndodhi rreth orës 18:10 me kohë lokale pranë qytetit Riedlingen, afër Stuttgartit, në një zonë të pyllëzuar.
Sipas informacioneve fillestare, rreth 100 pasagjerë ndodheshin në tren kur të paktën dy vagonë dolën nga shinat.
Mediat gjermane raportojnë se në atë kohë zona ishte përfshirë nga një stuhi e fuqishme, që mund të ketë ndikuar në aksident.
Në pamjet nga vendngjarja shihen vagonë të përmbysur dhe drurë të rrëzuar përreth.
Ekipet e shpëtimit kanë qenë në vendin e ngjarjes për të ndihmuar të lënduarit dhe për të siguruar zonën. Hetimet për shkaqet e aksidentit janë në zhvillim./BBC