Në bordin e avionit presidencial amerikan Air Force One, të shtunën në mbrëmje, presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump u pyet nëse SHBA-të janë përgjegjëse për sulmin pranë një baze të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
“Jo, sipas mendimit tim, bazuar në atë që kam parë, kjo është bërë nga Irani”, u përgjigj presidenti.
Një gazetar më pas e pyeti sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hesgeth, nëse kjo është e vërtetë. Ai u përgjigj: “Ne jemi duke e hetuar, por pala e vetme që shënjestron civilët është Irani”.
Trump përsëriti: “Ne mendojmë se është bërë nga Irani… Ata janë shumë të pasaktë, siç e dini, me municionet e tyre. Nuk kanë aspak saktësi. Është bërë nga Irani”.
Javën e kaluar, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të godisnin qëllimisht një shkollë, duke shtuar se forcat amerikane “nuk kanë asnjë arsye të shënjestrojnë infrastrukturën civile”.
Shkolla u godit në qytetin Minab, në kohën kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po kryenin sulme të gjera që synonin objektet ushtarake dhe udhëheqjen e Iranit.
Zyrtarët iranianë kanë fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për sulmin. Izraeli ka deklaruar se “nuk është në dijeni” për ndonjë operacion të ushtrisë izraelite në atë zonë, por i ka thënë BBC-së se është duke e shqyrtuar incidentin.
Analiza e imazheve satelitore nga BBC Verify zbuloi disa goditje dhe shenja djegieje, duke sugjeruar se shkolla mund të jetë goditur më shumë se një herë.
Megjithatë, pa më shumë pamje të mbetjeve të municioneve, nuk është e mundur të përcaktohet qartë se kush është përgjegjës për sulmin.
Afër 150 të vdekur nga sulmi i dyshuar SHBA-Izrael në shkollë iraniane