Presidenti amerikan Donald Trump ka mbërritur në Skoci, ku pritet të zhvillojë takime me liderët evropianë dhe britanikë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për tensionet tregtare dhe për të arritur një marrëveshje të re transatlantike.
Trump mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar dje(e premte) në mbrëmje dhe do të takohet me kryeministrin britanik Keir Starmer si dhe me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Qëllimi kryesor i këtyre takimeve është rishikimi dhe përmirësimi i marrëveshjeve tregtare ekzistuese, si dhe parandalimi i përshkallëzimit të një lufte të re tarifore mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Përpara nisjes nga Uashingtoni, Trump u shpreh optimist për rezultatet e pritshme nga bisedimet, duke deklaruar se “do të diskutojmë marrëveshjen tregtare me Londrën dhe ndoshta do ta përmirësojmë atë”.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, konfirmoi përmes një postimi në rrjetet sociale se kishte pasur një telefonatë pozitive me presidentin amerikan dhe se do të takohet me të të dielën në Skoci.
“Do të diskutojmë marrëdhëniet tregtare transatlantike dhe mënyrat për të ruajtur një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të fortë”, theksoi ajo.
Takimet vijnë në një moment të ndjeshëm për tregtinë globale. Më herët këtë muaj, Trump shpalli vendosjen e tarifave 30% ndaj disa importeve nga Bashkimi Evropian, që pritet të hyjnë në fuqi më 1 gusht. Ky vendim ka shkaktuar shqetësim në Bruksel, me zyrtarët evropianë që kanë paralajmëruar masa reciproke në rast se bisedimet nuk sjellin rezultate konkrete.
Në qershor, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar arritën një marrëveshje të re që lehtëson eksportin e mallrave amerikane në tregun britanik. Por marrëdhëniet me Brukselin mbeten të tensionuara, ndërsa Skocia pritet të jetë skena kyçe ku do të vendoset e ardhmja e bashkëpunimit ekonomik mes dy anëve të Atlantikut.