Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është takuar sot në Skoci me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.
Ai para takimit, ka folur për gazetarët duke komentuar disa nga konfliktet aktuale dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Trump ka theksuar se në botë po ndodhin shumë armëpushime, për të cilat ai pretendon se ka ndikuar personalisht gjatë mandatit të tij.
Si shembull, ai sërish përmendi Kosovën dhe Serbinë, duke i përshkruar si një nga “pikat e nxehta që ishin në luftë”.
“Nëse unë nuk do të isha aty, tani do të kishit gjashtë luftëra të mëdha. India do të luftonte me Pakistanin. E patë çfarë bëmë dje me dy vende me të cilat po tregtonim? Dhe gjatë negociatave tregtare, u thashë: ‘Nuk do të bëjmë asnjë marrëveshje tregtare përderisa të zgjidhni mosmarrëveshjet tuaja.’ Dhe e zgjidhëm për 24 orë. Ata sapo njoftuan se ishte zgjidhur – që është një gjë e jashtëzakonshme. Por Serbia dhe Kosova janë një tjetër shembull. Kemi shumë pika të nxehta që kanë qenë në luftë. Mendoj se një nga më të mëdhatë ishte India dhe Pakistani, sepse bëhet fjalë për dy shtete bërthamore. Ishte një shumë e madhe”, ka deklaruar Trump.
Ai shtoi se ndërhyrja e tij ndihmoi në arritjen e një armëpushimi mes Tajlandës dhe Kamboxhias, si dhe në marrëveshjen e paqes mes Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos.
Lidhur me situatën në Lindjen e Mesme, Trump tha se SHBA ka ofruar ndihmë financiare dhe ushqimore për Gazën, por akuzoi Hamasin për keqpërdorim të kësaj ndihme.
“Hamasi ka vjedhur shumicën e ndihmave”, tha ai, duke shtuar se ky grup po mban ende peng 20 persona, të cilët i quajti “si mburojë të tyre”.
Presidenti amerikan falënderoi kryeministrin Starmer për ndihmën që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë SHBA-së në përpjekjet për lirimin e pengjeve në Gaza.
Megjithatë, ai paralajmëroi se “lufta do të duhet të jetë pak më ndryshe” mes Gazës dhe Izraelit në të ardhmen.
Trump e përshkroi marrëdhënien midis SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar si “të pakrahasueshme”.