Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka paralajmëruar se Rusia do të përballet me “pasoja shumë të rënda” nëse Presidenti Vladimir Putin nuk pranon një armëpushim me Ukrainën gjatë samitit që do të mbahet të premten në Alaskë.
Në një deklaratë për gazetarët në Uashington, Trump tha se ndalimi i armiqësive është prioriteti kryesor i këtij takimi. I pyetur për pasojat në rast të refuzimit, ai u përgjigj: “Po, ato do të kenë… pasoja shumë të rënda.”
Deklaratat e tij erdhën pas një videokonference me disa nga liderët kryesorë evropianë, përfshirë Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, Kryeministrin britanik Keir Starmer dhe Presidentin francez Emmanuel Macron. Trump garantoi se nuk do të ketë lëshim territorial ndaj Rusisë pa pëlqimin e Ukrainës dhe e vlerësoi bisedën me liderët evropianë si “10 nga 10”.
Ai gjithashtu shprehu synimin për të zhvilluar një takim të dytë, këtë herë trepalësh me pjesëmarrjen e Zelenskyt, nëse bisedimet me Putinin japin rezultate pozitive. Macron konfirmoi se një ide e tillë është në shqyrtim, duke theksuar se aktualisht nuk ka plane serioze për shkëmbim territorial dhe se një takim i ardhshëm mund të mbahet në një vend neutral në Evropë.
Nga ana tjetër, Rusia ka sinjalizuar se nuk është e gatshme të pranojë një takim me Zelenskyn në këtë fazë, duke e kushtëzuar atë vetëm me afrimin e një marrëveshjeje të plotë paqeje.
Samiti Trump–Putin do të mbahet në Bazën e Përbashkët Elmendorf-Richardson në Alaska, një lokacion me simbolikë të fortë strategjike nga koha e Luftës së Ftohtë. Trump e mbrojti vendimin për organizimin e takimit në tokë amerikane, duke kritikuar median dhe ish-këshilltarin John Bolton, të cilin e akuzoi për komente “budallaqe”.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, paralajmëroi se nëse bisedimet nuk sjellin përparim, SHBA-ja mund të vendosë sanksione të reja ose tarifa dytësore ndaj partnerëve tregtarë të Rusisë.