Izraeli dhe Hamasi kanë arritur një marrëveshje për fazën fillestare të një “plani paqeje”, që parasheh ndërprerjen e armiqësive në Rripin e Gazës dhe lirimin e pengjeve që mbahen nga grupi militant palestinez.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka konfirmuar se pengjet pritet të lirohen të shtunën, si pjesë e fazës së parë të armëpushimit.
“Pengjet do të lirohen, ndoshta të shtunën… aktualisht po ndodhin shumë zhvillime rreth lirimit të tyre dhe besojmë se të gjithë do të kthehen, përfshirë edhe trupat e të vdekurve”, deklaroi Trump.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë shtoi gjithashtu se SHBA-të do të ndihmojnë në rindërtimin e Gazës, duke theksuar se qëllimi është “të ndihmojmë që ata të kenë sukses dhe të ruajnë paqen”.
Marrëveshja, e shpallur disa orë më herët nga presidenti amerikan, përfshin shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve, si dhe tërheqjen graduale të trupave izraelite nga territori i Gazës.
Nga ana tjetër, Ushtria izraelite ka bërë të ditur se Shefi i Forcave të Armatosura, Gjenerali Eyal Zamir, ka urdhëruar gatishmëri të lartë operative për kthimin e pengjeve. Ndërkohë, kabineti i sigurisë i Izraelit pritet të mblidhet të enjten(sot) për të miratuar lirimin e të burgosurve palestinezë, një vendim që, pavarësisht kundërshtimeve të anëtarëve të ekstremit të djathtë në qeveri, pritet të kalojë pa pengesa, shkruan The Guardian.