Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, konfirmoi të shtunën se po zhvillohen bisedime intensive mes aktorëve kryesorë rajonalë, me qëllim sigurimin e një marrëveshjeje armëpushimi për lirimin e pengjeve dhe për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Trump, mes tjerash, u shpreh se negociatat do të vazhdojnë deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare dhe të suksesshme.
“Negociatat intensive kanë vazhduar për katër ditë dhe do të vazhdojnë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare dhe e suksesshme,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, transmeton Dukagjini.
Sipas Trump, të gjitha vendet e rajonit janë të përfshira në bisedime, me Hamasin që është plotësisht në dijeni të diskutimeve.
“Ka më shumë vullnet të mirë dhe entuziazëm për arritjen e një marrëveshjeje, pas kaq shumë dekadash, sesa kam parë ndonjëherë më parë. Të gjithë janë të ngazëllyer që ta lënë pas këtë periudhë vdekjeje dhe errësire. Është një nder të jesh pjesë e këtyre negociatave. Duhet t’i kthejmë pengjet dhe të sigurojmë një paqe të përhershme dhe afatgjatë,” shtoi ai.
Sipas zyrtarëve, Trump pritet të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të hënën, në një takim zyrtar në Shtëpinë e Bardhë.