Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se java e ardhshme do të jetë “shumë e rëndësishme” në lidhje me tensionet me Iranin, duke lënë të hapur mundësinë që SHBA t’i bashkohet veprimeve ushtarake të Izraelit.
“Java e ardhshme do të jetë vendimtare për Iranin dhe kjo mund të ndodhë para fundit të javës”, ka deklaruar Trump para gazetarëve në ambientet e Shtëpisë së Bardhë.
I pyetur nëse do të mbështesë një ndërhyrje ushtarake, ai u përgjigj: “Mund ta bëj, mund të mos e bëj. Askush nuk e di çfarë do të bëj. Por mund t’ju them këtë: Irani ka shumë probleme”.
Sipas raportimeve, presidenti amerikan është duke shqyrtuar mundësinë për të mbështetur sulmet izraelite në centralin bërthamor nëntokësor të Fordow në Iran – një objekt që deri më tani ka shpëtuar pa u goditur.
Ndërkohë, pritet që kryeministri britanik të mbajë sot diskutime urgjente mbi mënyrën se si do të reagojë Mbretëria e Bashkuar, nëse SHBA kërkon përfshirjen e saj në veprimet kundër Iranit.
Trump zbuloi gjithashtu se Irani ka kërkuar të negociojë dhe madje ka shprehur interes për një vizitë në Shtëpinë e Bardhë.
“Irani ka shumë probleme dhe ata duan të negociojnë”, ka theksuar Trump. “Unë i thashë: Pse nuk negociuat më herët, para gjithë kësaj vdekjeje dhe shkatërrimi? Pse nuk erdhët?”.