“Guidat turistike të huaja që hyjnë në Kosovë pa leje pune apo qëndrimi jo vetëm që veprojnë në kundërshtim me ligjin, por edhe përhapin dezinformata serioze për historinë dhe identitetin e vendit”.
Kështu ka deklaruar udhërrëfyesi turistik, Enis Toska, i cili në emisionin Rreth e Rrotull, ka ngritur shqetësimin për praninë e shtuar të guidave të huaja në Prishtinë, Prizren dhe qytete të tjera të Kosovës, të cilët udhëheqin grupe turistësh pa respektuar ligjin dhe pa ndonjë kontroll mbi përmbajtjen që shpërndajnë.
“Ka pasur raste kur për Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë kanë thënë se ka qenë bazë ushtarake serbe, ose për Termokosin është thënë se është monumenti i lirisë së Kosovës. Këto janë absurditete që dëgjohen në terren”, ka deklaruar Toska.
Sipas tij, këto janë raste që kolegët e tij i kanë dëgjuar me veshët e tyre.
“Një narrativë që shpesh thuhet është se Kosova është ende shtet kontest domethënë prej Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar ai.
“Është edhe çështja e interpretimeve historike, tash duke marrë parasysh si Kosovë jemi një vend që para disa dekadave kemi dalë prej luftës edhe jemi shpesh pre e dezinformatave dhe propagandave të ndryshime ajo që ndodh në terren është se guidat e huaja shpesh japin informata të pasakta, dhe munden të keqinterpretohen dhe të bëjnë një lloj promovimi negativ të vendit tonë. Kemi plot raste, një lloj shtrembërimi i komplet storieve që kanë lidhje me Kosovën”, ka deklaruar mes tjerash ai.
Ai ka shtuar se Ligji i Turizmit i miratuar në vitin 2022 e ka qartësuar rolin e guidave, duke paraparë që vetëm ata me leje pune ose qëndrim mund të udhëheqin ture turistike në Kosovë.
“Kjo situatë jo vetëm që i lë jashtë tregut guidat vendore, por rrezikon imazhin e Kosovës në sytë e vizitorëve të huaj. Dezinformatat e tilla mund të dëmtojnë rrëfimin tonë historik dhe ndikojnë edhe në perceptimin ndërkombëtar për shtetësinë e vendit”, ka theksuar ai.