Turqia ka vendosur përkohësisht një aeroplan paralajmërues dhe kontrollues në Lituani në kuadër të masave të sigurisë së NATO-së pas shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore nga dronët rusë.
Lituania, Estonia, Danimarka dhe Polonia bënë të ditur se dronët ose avionët luftarakë rusë kanë shkelur hapësirën e tyre ajrore në javët e fundit, duke bërë që aleanca e NATO-s të forcojë mbrojtjen rreth krahut lindor të Evropës, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
“Brenda fushëveprimit të Masave të Sigurisë së NATO-s, avionët tanë të Sistemit të Paralajmërimit dhe Kontrollit Ajror (AWACS) po kryejnë misione në hapësirën ajrore lituaneze midis 22 dhe 25 shtatorit”, u tha në njoftimin e ministrisë turke të Mbrojtjes.
AWAC-ët janë të aftë të zbulojnë dronët që fluturojnë ulët dhe objekte të tjera që radarët tokësorë nuk i shohin.
Polonia ka rrëzuar disa nga dronët, dhe parlamenti i Lituanisë të martën u dha forcave të armatosura kompetenca për të rrëzuar çdo dron pa pilot që shkel hapësirën e saj ajrore.
Zyrtarët perëndimorë thonë se Rusia po kryen shkeljet e hapësirës ajrore për të testuar gatishmërinë dhe vendosmërinë e NATO-s. Estonia dhe Polonia i kanë kërkuar aleancës të hapë konsultime sipas Nenit 4 të traktatit të NATO-s.
Neni 4 thotë se anëtarët e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut do të konsultohen së bashku sa herë që, sipas mendimit të ndonjërit prej tyre, territori, pavarësia politike ose siguria e ndonjërit prej tyre kërcënohet.
Turqia, ushtria e dytë më e madhe e NATO-s, ka lidhje të forta me Rusinë në fusha si energjia dhe turizmi. Megjithatë ka dënuar pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska dhe i ka ofruar Kievit mbështetje ushtarake, por është përmbajtur nga bashkimi me sanksionet perëndimore kundër Rusisë si pjesë e një akti balancues që thotë se e ndihmon të flasë me të dyja palët.