Të paktën 20 persona janë vrarë dhe më shumë se 40 të tjerë janë plagosur në sulmet që Rusia kreu gjatë natës ndaj Ukrainës, thanë zyrtarët rajonalë më 29 korrik.
Rusia kreu tetë sulme në rajonin e Zaporizhjës, duke goditur një burg, tha Ivan Fedorov, kreu i administratës ushtarake.
“Gjashtëmbëdhjetë persona janë vrarë, 35 janë plagosur”, tha ai në Telegram, duke shtuar se ndërtesa e burgut është shkatërruar si dhe shtëpitë përreth janë dëmtuar.
Për persona të vrarë dhe të plagosur është raportuar edhe në rajonin e Dnipropetrovskut, sipas zyrtarëve rajonalë.
Një sulm me raketa në qytetin Kamjanske vrau dy persona,plagosi pesë të tjerë dhe dëmtoi një spital, njoftoi në Telegram kreu i administratës ushtarake rajonale, Sergiy Lysak.
Një person tjetër u vra dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm në rajonin e rrethit Sinelnikivski, shtoi ai.
Në një sulm tjetër në Velikomihajlivska, natën e së hënës, “një grua 75-vjeçare u vra. Një burrë 68-vjeçar u plagos. Një shtëpi private u dëmtua”, shkroi ai në Telegram.
Në jug të Rusisë, ndërkaq, një person u vra pas një sulmi ukrainas me dronë, tha ushtruesi i detyrës së guvernatorit rajonal.
“Një veturë është dëmtuar në rrugën Ostrovski. Fatkeqësisht, shoferi i veturës vdiq”, tha Yuri Slyusar, ushtruesi i detyrës së guvernatorit të Rostovit.
Kievi po përpiqet të zmbrapsë ofensivën verore të Rusisë, e cila ka shënuar përparime të reja në zona që nuk kishte pasur shumë luftime që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022
Gjatë fundjavës, ushtria ruse tha se forcat e saj kishin “çliruar vendbanimin Malijevka” në Dnipropetrovsk, disa javë pasi kishin marrë nën kontroll fshatin e parë në këtë rajon.
Presidenti amerikan Donald Trump të hënën i dha Moskës një afat prej “rreth 10 ose 12 ditësh” për të përfunduar konfliktin në Ukrainë, përndryshe do të përballet me sanksione të ashpra. Paraprakisht gjatë këtij muaji, Trump i kishte dhënë afat palëve 50 ditë për të arritur një marrëveshje për përfundimin e luftës./RadioEvropaeLirë