Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, tha se forcat ukrainase në pjesën jugore të vendit po bëjnë gradualisht përparime, “me hapa të vegjël, por me shumë siguri”. Ajo shtoi se trupat ukrainase po e vazhdojnë kundërofensivën sipas planit.
“Ne po ecim përpara gradualisht … dhe ju mund të citoni edhe një alegori se ne po gërryejmë çdo metër tokë nga armiku”, tha Malyar, në një vlerësim të bërë më 20 qershor, shkruan REL.
Ndërkohë, Malyar shkroi në platformën Telegram se ka edhe vende ku forcat ruse po përparojnë dhe trupat ukrainase janë në mbrojtje, si për shembull në qytetet lindore të Ukrainës, Kupyansk dhe Lyman.
Ajo shtoi se “njerëzit duan që të ndodhë si në një film … shumë shpejt”, por shtoi se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.
“Duhet ta kuptojmë se detyrat që i vendosen ushtrisë kryhen nga ata dhe lëvizja graduale po bëhet në të gjitha drejtimet ku filloi ofensiva. Por, natyrisht, goditja kryesore nuk ka ardhur ende”, tha ajo.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në fjalimin e tij të përnatshëm se forcat ukrainase “në jug dhe në lindje po e shkatërrojnë në mënyrë aktive armikun, duke e pastruar fizikisht Ukrainën”.
Mbrojtja e Ukrainës po “shkatërron terroristët”, tha ai. “Dhe kjo është një garanci që shteti i së keqes nuk do të ketë kurrë mundësi ta sjellë të keqen në Ukrainë”.
Komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrsky, tha në Telegram se trupat e tij po përparonin rreth qytetit lindor të Bahmutit, ndërsa po zmbrapsnin sulmet gjithnjë e më intensive ruse pranë Kupyanskut.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura raportoi më herët se ushtria ukrainase po e vazhdon ofensivën e saj në zonat e Melitopolit dhe Berdyanskut.
Në verilindje të Ukrainës, trupat ruse e bombarduan kufirin e rajonit Sumy 14 herë, njoftoi administrata ushtarake rajonale.
Disa vendbanime u vunë nën zjarr shkaku i 109 shpërthimeve të regjistruara, thuhet në një përmbledhje të administratës ushtarake. Shtëpitë private dhe një fermë u goditën.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat ruse kishin goditur dhe shkatërruar tetë depo municionesh në Ukrainë gjatë 24 orëve të mëparshme. Sipas tyre, forcat ukrainase ishin përpjekur ta sulmonin Donjeckun e kontrolluar nga Rusia dhe rajonin jugor të Zaporizhzhjas, por sulmet ishin zmbrapsur.
Forcat ukrainase sulmuan gjithashtu Nova Kahovkan e kontrolluar nga Rusia, në rajonin jugor të Hersonit, duke vrarë një grua dhe duke plagosur katër civilë, thanë autoritetet lokale të emëruara nga Rusia.
Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur t’i konfirmojë këto pretendime të të dyja palëve për zhvillimet në fushën e betejës, në zonat e luftimeve më të ashpra.