Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër për sjellje me detyrim ndaj Fitore Pacolli-Dalipit, Salih Zybës dhe Xhelal Sveçlës, pasi ata munguan pa arsye në seancën e 16 shtatorit.
Ata po gjykohen bashkë me Drita Millakun për veprën penale, “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyres zyrtare”.
Policia e Kosovës është urdhëruar të ekzekutojë urdhëresën për sigurimin e pranisë së tyre në seancën e ardhshme.
“Ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, është duke u zhvilluar procedura penale kundër të pandehurve, D.M., XH.S., S.Z., dhe F.P.D, për shkak që secili veç e veç kanë kryer veprën penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, nga neni 375 paragrafi 1 dhe veprës penale Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyres zyrtare nga neni 409 paragrafi të KPRK-së.
Gjyqtari i kësaj çështje penale, për shkak se të pandehurit F.P.D, S.Z., dhe XH.S kishin munguar në seancën e datës 16.09.2025 dhe mungesën e tyre nuk e kishin arsyetuar, ka vendosur jashtë seancës dhe ka lëshuar Urdhëresë për sjellje me detyrim kundër të pandehurve F.P.D, S.Z., dhe XH.S.
Gjykata ka ndërmarr të gjitha veprimet e duhura dhe ka urdhëruar Policinë e Kosovës që të ndërmarr veprimet e mëtejme procedurale për të siguruar prezencën e të pandehurve në seancën e radhës. Urdhëresën do ta ekzekutoj Policia e Kosovës”, thuhet në njoftim e Gjykatës për Dukagjinin.