Një ushtar rezervist i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) u vra të martën në një sulm të ndërmarrë nga operativë palestinezë në zonën e Rafahut, në jug të Rripit të Gazës, gjatë një periudhe armëpushimi që ishte në fuqi prej disa javësh.
Sipas IDF-së, Master Sgt. (res.) Yona Efraim Feldbaum, 37 vjeç, operator i makinerive të rënda nga vendbanimi Neria në Bregun Perëndimor, u godit për vdekje nga zjarr snajperi që kishte në shënjestër një ekskavator ushtarak në lagjen Jenina të Rafahut.
Pas sulmit, militantët palestinezë lëshuan disa raketa RPG ndaj forcave izraelite, por pa shkaktuar viktima të tjera, raporton The Times of Israel.
Në reagim të menjëhershëm, ushtria izraelite kreu një seri goditjesh ajrore dhe tokësore në të gjithë Gazën, duke synuar qindra objektiva të Hamasit dhe grupeve të tjera militante.
Autoritetet shëndetësore të Gazës raportuan më shumë se 100 të vrarë, përfshirë gra dhe fëmijë. Ushtria izraelite tha se në këto sulme janë eliminuar mbi 30 komandantë të Hamasit dhe grupeve të tjera.
Në orën 10:00 të mëngjesit të së mërkurës, Izraeli njoftoi se armëpushimi ishte rivendosur, duke theksuar se do të përgjigjet “ashpër ndaj çdo shkeljeje të tij”.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se “nuk do të ketë imunitet për asnjë udhëheqës të Hamasit”, duke paralajmëruar se çdo sulm ndaj ushtarëve të IDF-së “do të ketë pasoja të rënda”.
Sulmi në Rafah vjen në një moment tensioni të lartë pas akuzave të Izraelit ndaj Hamasit për shkelje të marrëveshjes së fundit të armëpushimit, e cila parashikonte dorëzimin e trupave të 13 pengjeve izraelite.
Izraeli ka akuzuar Hamasin për manipulim, duke publikuar pamje që tregojnë se militantët inskenuan gjetjen e mbetjeve të një pengu të vdekur, duke i dorëzuar ato Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq si pjesë e një “skenari të fabrikuar”.