Pothuajse të gjithë mbërrijnë në sallën e seancave me vonesë.
Por, nënshkrimin në listën e pjesëmarrjes, nuk e harrojnë.
Angazhimi i tyre zgjat pak minuta.
Dy muaj nga dita kur dhanë betimin si deputetë të Kuvendit, nuk kanë marrë asnjë vendim e as trajtuar asnjë çështje.
Në një shfaqje të përsëritur, të enjten e 19 Qershorit të zgjedhurit e popullit dështuan të konstituojnë legjislaturën e re të Kuvendit, për herë të 34-të.
“51 deputetë kanë dhënë votën për, kundër ka qenë një, abstenim nuk kemi, nuk kemi kuorum, atëherë shihemi me 21.06.2005 (2025*)”, ka thënë Avni Dehari, Kryesues i Seancës Konstituive.
Derisa për dështimin fajin sërish ua la të tjerëve, e propozuara e LV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk përjashtoi zgjedhjet e reja teksa u mor edhe me Gjykatën Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetues është vonuar, duhet ta themi hapur, sepse nuk ka kuptim që një gjë kaq e thjeshtë, sepse AAK- bashkë me LDK-në dhe PDK e kanë kontestuar komisionin për votimin e fshehtë. Ose gjykata e bënë të pranueshme këtë lëndë dhe e trajton nëse kryesuesi ka pasur të drejtë për komisionin për votimin e fshehtë, ne besojmë fuqishëm që ka pasur të drejtë”, ka thënë Haxhiu.
Pa treguar hollësi, kreu i Lidhjes Demokratikë dhe ai i Nismës Socialdemokrate, konfirmuan se janë takuar të mërkurën dhe se kanë diskutuar për propozimin për Qeverinë kalimtare të unitetit.
“Takim shumë miqësor me zotëri Limajn, asgjë më shumë se kaq”, ka thënë Lumir Abdixhiku.
“Kemi pas një takim shumë të mirë, kemi biseduar të gjitha temat, mund të them se ka qenë një takim jashtëzakonisht i mirë. Të gjitha temat që e preokupojnë Kosovën, zhvillimet në Kosovë, prej zhvillimet politike, ekonomike rajonale, angazhimet tona, obligimet që duhet kryhen”, ka thënë Fatmir Limaj.
Ndërkaq, Vlora Çitaku e PDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së akuzuan kreun e LV-së Albin Kurti se po e mban peng vendin.
“Nuk ka fije logjike që institucionet e Kosovës të mos konstituohen në mënyrë që të jemi në gjendje të adresojmë sfida të shumta, hallet e shumta të qytetarëve, për shkak të kryeneçësisë së Kurtit dhe ambicies së Haxhiut. Kosova është shumë më e madhe dhe më e rëndësishme se sa secili prej nesh. Ne kërkojmë zgjidhje, kemi ofruar zgjidhje, mirëpo LVV nuk dëshiron bashkëpunim, por dëshiron diktakt dhe nënshtrim, dhe PDK nuk i nënshtrohet diktatit”, ka thënë Çitaku.
“Kjo pyetje duhet t’i behet veç një njeriut, mashtruesit, Albin Kurti. Për fat të keq jemi duke e paguar çmimin që i kemi besuar një mashtruesi. Dhe për mua nuk është befasi, e dini vlerësimin tim për të, por edhe kjo situatë duhet të marrë fund dikur. Pra, mashtruesi nuk mundet pa kufi me u tall me një vend”, ka thënë Haradinaj.
Deputeti i LV-së, Artan Abashi, ndërkaq pasi tha se nuk është në dijeni të një takimi të raportuar të Kurtit me një deputete te LDK-së, shtoi se uron që të ketë më shumë takime të tilla.
Tentimi i radhës për konstituim, është caktuar për të shtunën në orën 10 e 30.