Khaleda Zia, kryeministrja e parë grua e Bangladeshit dhe rivale e kahershme e lideres së rrëzuar Sheikh Hasina, ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të gjatë në moshën 80-vjeçare.
Zia kishte në plan të kandidonte për një mandat të tretë si kryeministre në zgjedhjet e shkurtit, kur Bangladeshi pritet të votojë për herë të parë që nga revolucioni popullor i fundvitit 2024, i cili e rrëzoi nga pushteti Sheikh Hasinën, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Ajo u fut në skenën politike pas vrasjes së bashkëshortit të saj, presidentit të atëhershëm Ziaur Rahman, dhe më pas u bë kryeministrja e parë grua e vendit në vitin 1991.
Karriera e saj politike, e shënuar nga burgosje dhe arrest shtëpiak, u përcaktua nga rivaliteti i ashpër me Sheikh Hasinën. Ajo u shpall e pafajshme për akuzat për korrupsion dhe iu lejua të udhëtonte në Londër për trajtim mjekësor vetëm pasi Hasina humbi pushtetin.
Mjekët thanë të hënën se gjendja e Zias ishte “tejet kritike”. Ajo ishte vendosur në aparate për mbajtjen e jetës, por për shkak të moshës dhe gjendjes së rënduar shëndetësore, nuk ishte e mundur të ofroheshin disa trajtime njëkohësisht.
“Liderja jonë e dashur nuk është më mes nesh. Ajo u nda nga jeta në orën 6 të mëngjesit,” njoftoi Partia Nacionaliste e Bangladeshit (BNP) e Zias përmes Facebook-ut të martën.
Pas publikimit të lajmit për vdekjen e saj, turma njerëzish u mblodhën jashtë spitalit Evercare në Dhaka, ku Zia ishte shtruar për trajtim.