Vendimet që u morën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës

Ndarja e 40 milionë eurove për mbështetjen e ndërmarrjeve publike dhe 600 mijë eurove për mbështetjen e prodhuesve vendorë dhe miratimi i Udhëzimit Administrativ për funksionimin e Ekipit për të Drejtat e Fëmijëve, ishin disa prej vendimeve që u miratuan në mbledhjen e 92-të të Qeverisë së Kosovës

Mbledhja e 92-të e Qeverisë së Kosovës, FOTO:ZKM

Të mërkurën e dhjetë gushtit, Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 92-të me radhë, në të cilën ka miratuar shtatëmbëdhjetë vendime.

Qeveria me miratimin e kabinetit e ka marrë vendimin për ndarjen e 40 milionë eurove për mbështetjen e ndërmarrjeve publike dhe 600 mijë eurove për mbështetjen e prodhuesve vendorë.

Lidhur me zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, janë miratuar plotësim-ndryshime, me të cilat shuma e përgjithshme e ndarë për masën e mbështetjes së likuiditetit familjar, është 7 milionë e katërqind mijë euro.

Janë rialokuar 1 milion e 80 mijë e 768 euro në Ministrinë e Administratës të Pushtetit Lokal për zbatimin e projekteve kapitale, në përputhje me shtatë marrëveshjet e mirëkuptimit për projektet kapitale të nënshkruara nga Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryetarët e komunave: Klinë, Gjilan, Obiliq, Podujevë, Shtime, Istog dhe Kamenicë.

Me qëllim të kthimit të ligjshmërisë, kabineti qeveritar ka shfuqizuar 17 vendime të mëparshme për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të administruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit te komunat: Prizren, Klinë, Malishevë, Skenderaj, Podujevë, Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë, Istog, Pejë, Graçanicë, Zveçan, Vushtrri, Mitrovicë Veriore, Ranillug dhe Kllokot.

Qeveria në mbledhjen e sotme, po ashtu, ka miratuar vendimin për caktimin e zonave të mbrojtura sanitare dhe masat e tyre mbrojtëse të burimit ujor nëntokësor që përdoret për pije – “Puset e Konjuhit” në Komunën e Lipjanit.

Qëllimi i përcaktimit të zonave të mbrojtura sanitare është që të mbrojë burimet e ujit nëntokësor – “Puset Konjuh”, Komuna Lipjanit, nga ndikimet negative të cilat mund të dëmtojnë gjendjen normale dhe të qëndrueshme të ujit nga aspekti i cilësisë dhe sasisë.

Është miratuar Udhëzimi Administrativ për funksionimin e Ekipit për të Drejtat e Fëmijëve.

Për shënimin e 25-vjetorit të vdekjes së humanistes shqiptare Nënë Terezës, Qeveria ka themeluar Këshillin organizativ për këtë përvjetor.

Qeveria ka emëruar bordet e drejtorëve në katër ndërmarrje publike qendrore:
Ndërmarrjen Publike Qendrore “Ndërmarrja Publike “Hekurudhat e Kosovës – Trainkos Sh.A”, Kompaninë Rajonale e Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor, Sh.A. Prizren, Kompaninë Rajonale të Ujitjes Radoniqi-Dukagjini, Sh.A. Gjakovë dhe Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Bifurkacioni, Sh.A. Ferizaj.

Po ashtu, është miratuar vendimi për shkarkimin e bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike “Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës – Infrakos” Sh.A. dhe emërimin e bordit të përkohshëm të drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Janë miratuar dy vendime për t’i kërkuar Presidentes së Kosovës dhënien e autorizimit për Zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, për nënshkrimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2021, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, dhe nënshkrimin e Amendamentit 2 të Marrëveshjes Financiare IPA 2018 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Në mbledhje, kabineti qeveritar është informuar për zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit (PKZMSA) gjatë periudhës prill – qershor 2022, si dhe me Raportin e vlerësimit të ligjshmërisë së akteve të Kuvendeve të Komunave për periudhën janar-qershor 2022.

Pas shqyrtimit është aprovuar edhe Raporti i punës i Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar për periudhën korrik 2021- qershor 2022.

Shija e redaktorit

Zgjedhjet lokale, nesër intervistohen mbi 50 mijë qytetarë për Exit...

Zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër në 38 komunat e vendit do të shënojnë një rekord historik sa i përket Exit Poll-eve. Në kuadër...

Debati për Prishtinën, paratë e mbledhura nga mesazhet në Debat...

Mbrëmë studio e Debat Plus ishte nikoqire e debatit më të madh e vendimtar në kuadër të garës për zgjedhjet lokale në Prishtinë. Kundër kandidatët...

Mijëra dronë “Skydagger” mbërrijnë në Prishtinë, njofton Kurti: FSK po...

Kontejnerë që mbajnë mijëra dronë luftarakë kamikazë të markës Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Kurtit,...

Të fundit nga rubrika