Kompania furnizuese me energji elektrike, KESCO, ka njoftuar se prodhimi vendor i energjisë vazhdon të jetë i kufizuar, ndërkohë që kërkesa po rritet për shkak të temperaturave të larta.
Sipas njoftimit, aktualisht në funksion është vetëm njësia A3, e cila po prodhon rreth 110 megavatë energji elektrike, ndërsa pjesa tjetër e nevojave për konsum do të mbulohet përmes importit nga tregjet ndërkombëtare.
“Gjatë ditëve të fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e konsumit, sidomos për shkak të përdorimit më të madh të kondicionerëve. Për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe pa ndërprerje, janë siguruar importet e nevojshme dhe po punohet vazhdimisht për të përmbushur kërkesën në rritje për energji”, thuhet në komunikatën e KESCO-s.
Kompania ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët, duke kërkuar përdorim më efikas të pajisjeve për ftohje dhe kursim të energjisë në përgjithësi.
“Çdo kilovat-orë i kursyer kontribuon në uljen e ngarkesës së sistemit dhe reduktimin e kostos së përgjithshme të energjisë, duke përfituar kështu të gjithë konsumatorët”, përfundon njoftimi.