Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Liberale Egjiptiane(PLE), Veton Berisha, ka qenë i ftuar në emisionin Frontal të T7, ku ka folur për situatën rreth moskonstituimit të Kuvendit.
Ai ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po paraqet propozime, por jo me qëllim të mirë për të dalë nga kriza institucionale.
“Ata po dalin me propozime, po i përmbushim obligimet e tyre. Është e drejtë e tyre, por është e paqartë: nuk kanë votën, nuk konsultohen dhe nuk ka një konsultim gjithëpërfshirës për një propozim konsensual. Atëherë konsideroj që nuk po duket që e kanë qëllimin e mirë për të kaluar më tutje”, tha Berisha.
Sipas tij, mënyra se si bëhen propozimet është jokolegiale. Ai shtoi se do të votonte, por mund të ketë ndonjë kandidat që nuk do ta mbështeste.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet pa kryeparlamentar, përkundër verdikteve të dhëna nga Gjykata Kushtetuese.
Partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk ka shumicën parlamentare, ndërsa PDK e AAK janë shprehur se disa emra do t’i mbështesin për postin e kryeparlamentarit. LDK, nga ana tjetër, ka mbajtur qëndrimin kategorik kundër votimit të çdo kandidati pa një marrëveshje politike.