Policia e Kosovës po vazhdon operacionin e kërkimit për personin e zhdukur, Alush (Vesel) Kastrati, i cili sipas autoriteteve është parë për herë të fundit më 7 mars 2026 në fshatin Zatriq të komunës së Rahovecit.
Sipas njoftimit të Policisë, menjëherë pas raportimit për zhdukjen e tij janë aktivizuar strukturat përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në drejtim të gjetjes së tij. Njësitë policore kanë dalë në terren dhe kanë zhvilluar patrullime intensive në një perimetër të zgjeruar kërkimi, duke përfshirë edhe zonat malore dhe hapësira të tjera përreth.
Në këtë operacion janë angazhuar njësitë patrulluese të Policisë së Kosovës, Njësia për Reagim të Shpejtë, njësia me dron për monitorim nga ajri si dhe njësia K9 me qen kërkues, njofton Dukagjini.
Po ashtu, në operacion janë përfshirë edhe Njësia e Kërkim-Shpëtimit e Forcës së Sigurisë së Kosovës, zjarrfikësit, Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, si dhe qytetarë vullnetarë që kanë ofruar mbështetje në terren.
Mbështetje në këtë iniciativë ka ofruar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, i cili ka kontribuar në koordinimin e institucioneve lokale dhe komunitetit për të ndihmuar në përpjekjet për gjetjen e personit të zhdukur.
Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohje për të gjitha institucionet, ekipet profesionale dhe qytetarët vullnetarë që janë angazhuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në këtë operacion kërkimi.
Operacioni për gjetjen e personit të zhdukur është ende në vazhdim.