Vizitat shëndetësore në shkollat e Prishtinës, Gashi: Kontrollet do të ndihmojnë në përcjelljen e gjendjes së nxënësve ndër vite

Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës ka nisur realizimin e vizitave sistematike shëndetësore në shkollat e kryeqytetit, me qëllim të identifikimit të hershëm të problemeve të mundshme shëndetësore te nxënësit.

Në këtë projekt janë përfshirë nxënësit e klasave të para, të pesta dhe të nënta, ndërsa procesi pritet të përfundojë brenda rreth një muaji.

Në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori i Shëndetësisë, Bujar Gashi, ka vlerësuar se projekti po zhvillohet me sukses, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë së këtyre vizitave për përcjelljen dhe vlerësimin e gjendjes shëndetësore të fëmijëve ndër vite.

“Në përgjithësi mirë, kujdesi parësor shëndetësor, ashtu si dhe vitet e tjera, ka vazhduar me projektin e rëndësishëm, sa i përket vizitave sistematike shëndetësore në shkollat e kryeqytetit. Në bazë të projektit janë të përfshira klasat e para, të pesta dhe të nënta në të gjitha shkollat e kryeqytetit. Si proces ka nisur mirë dhe është duke shkuar mirë, kështu që të gjitha ekipet janë në terren në shkolla të ndryshme, varësisht prej proceseve se si shkojnë punët dhe kur përfundon një shkollë, fillohet me shkollën tjetër. I tërë procesi parashikohet që të përfundojë brenda afërsisht një muaji, kështu që presim deri kah gjysma e nëntorit, fillimi i nëntorit, që të kemi përfundimin e kompletuar të projektit në të gjitha shkollat e kryeqytetit”, ka thënë Gashi.

Ai ka theksuar se vizitat sistematike shëndetësore janë realizuar edhe në vitet e mëparshme, me përjashtim të vitit të kaluar, kur projekti nuk është realizuar për arsye teknike.

Sipas tij, synimi është që ky projekt të vazhdojë në kontinuitet, në mënyrë që të mundësohet përcjellja e gjendjes shëndetësore të nxënësve ndër vite.

“Vizitat sistematike datojnë më herët, përveç vitit të kaluar që teknikisht nuk është realizuar. Vitet e tjera, edhe gjatë pandemisë, normalisht për shkak të restrikcioneve të kohës dhe të afërsisë, nuk është realizuar, ndërsa para dy viteve po, dhe tash normalisht që shpresojmë që këto vizita sistematike të jenë në kontinuitet, që së paku pas katër viteve ta kemi mundësinë që në këto vizita sistematike të vizitojmë të njëjtit nxënës që i kemi vizituar këtë vit. Sepse tash vitin tjetër i bie që të vizitohet klasa e parë tjetër, e klasa e dytë që sivjet janë vizituar nuk vizitohen, mirëpo këta të njëjtit do të vizitohen pas katër viteve. Dhe kështu gjeneratë pas gjenerate që në vitin e katërt të kemi një evaluim apo vlerësim apo krahasim të gjeturave që kemi pasur tek këta fëmijë, rekomandimeve që i kemi dhënë dhe sa janë plotësuar apo sa janë rregulluar problemet shëndetësore të tyre”, ka deklaruar Gashi për Ekonomia Online.

Drejtori i Shëndetësisë ka bërë të ditur se projekti është mirëpritur nga prindërit dhe nxënësit, ndërsa ka vlerësuar bashkëpunimin me ekipet mjekësore, mësimdhënësit, drejtorët e shkollave dhe Drejtorinë e Arsimit.

“Në përgjithësi kemi paraqitje pozitive edhe nga ana e prindërve, sigurisht është pritur mirë edhe nga nxënësit. Normalisht po flasim për klasat e pesta-nënta, sado që ata të klasave të para pak e kanë hezitim, mirëpo bashkëpunimi me ekipet mjekësore, me mësuesit e tyre, me drejtorët e shkollave, në bashkëpunim edhe me drejtorinë e arsimit, kemi gjetur një mirëkuptim të mirë dhe sepse këtu është një bashkëpunim i madh edhe për shkak të hapësirave, edhe e krijimit të kushteve të mira për mjekët se cilët do të qëndrojnë disa ditë në një shkollë, bashkëpunimi, evidentimi i nxënësve, përcjellja e tyre nga klasa, domethënë kemi një bashkëpunim të shkëlqyer. Prindërit e presin gjithmonë mirë, sepse nga këto vizita kanë vetëm përfitime, që sa më herët të gjejmë problemet shëndetësore të mundshme tek këta fëmijë, që të marrin rekomandimet dhe të vizitojnë profilet e caktuara me specialistët”, ka thënë Gashi./EO