Pas mbylljes së vendvotimeve, koalicioni VLEN mbajti një konferencë për media, ku deklaroi se pret fitore në shumë komuna që në rrethin e parë, duke përfshirë Çairin, Tetovën, Sarajin dhe disa të tjera.
Ata e konsideruan procesin zgjedhor si të lirë dhe demokratik.
“Procesi i votimit u zhvillua në mënyrë të qetë dhe të rregullt në të gjitha komunat. Sipas informacioneve nga terreni, nuk janë raportuar parregullsi të theksuara. Presim që faza e përmbylljes dhe e numërimit të votave nga KSHZ të zhvillohet në mënyrë të plotë transparente, në përputhje me ligjin”, ka deklaruar Driton Sulejmani nga VLEN.
Ai shtoi se ka pasur dalje të madhe të votuesve, veçanërisht në Çair dhe Saraj krahasuar me zgjedhjet e kaluara, duke theksuar se qytetarët janë të gatshëm t’u japin besimin politikave të VLEN-it.
“Nga informacionet që kemi marrë nga shtabet komunale, presim fitore në pothuajse çdo komunë. Jemi optimist se në disa komuna gara mund të përfundojë qysh në rrethin e parë. Kjo vlen për Çairin, Tetovën, Sarajin, Bogovinën, Zhelinën dhe Tearcën”, ka theksuar ai.